Franca ndërton 33 burgje për myslimanët?
“Të paktën 60 për qind e të burgosurve në Francë janë myslimanë, të cilët përbëjnë vetëm tetë për qind të popullsisë së vendit”.
Franca ka njoftuar se është duke diskutuar një plan për ndërtimin e 33 burgjeve të reja, duke argumentuar se mbipopullimi ka ndikuar në radikalizmin e të burgosurve që po mbahen së bashku me terroristët. Kryeministri francez Manual Vals bëri të ditur se do të ndërtohen nëntë institucione dhe objekte të reja shtesë, për të shtuar më shumë se 5 mijë qeliza në sistemin e burgjeve në fazën e parë të planit të zgjerimit. "Situata është kritike, sidomos në burgjet afatshkurtra (për njerëz të dënuar me dy vjet ose më pak), ku mbipopullimi është 140 për qind", tha ai. Kohë më parë, qeveria franceze kishte vendosur që të shtojë masat e sigurisë në shkolla në shenjë kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste që kishin goditur vendin, sidomos në dy vitet e fundit. Vendimi u mor pas një mbledhje të kabinetit të sigurisë që u drejtua nga Presidenti francez François Hollande. Ndërkohë, autoritetet kishin deklaruar se numri i forcave të sigurisë që qëndrojnë në gatishmëri në të gjithë vendin të arrijë në të paktën 84.000. Franca është goditur shpesh herë nga sulmet terroriste në dy vitet e fundit, ku mjafton të përmendet sulmi mbi redaksinë e revistës satirike, “Charlie Hebdo”, mbrëmja tragjike e 13 nëntorit të vitit të shkuar në Paris si dhe masakra e regjistruar në muajin korrik në Nice ku humbën jetën më shumë se 80 persona. Shpeshherë autoritetet franceze kanë akuzuar myslimanët për kryerjen e akteve terroriste, por që në praktikë asnjëherë nuk është dëshmuar se personat të cilët janë akuzuar për kryerjen e akteve terroriste përpos faktit se vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme, të jenë të ndikuar nga ndonjë parim fetar islame. Me këtë rast, presidenti i Sirisë, vend i cili është duke vuajtur nga një luftë civile në të cilën janë të përfshirë edhe fuqitë e mëdha e edhe Franca, kishte deklaruar se problemi kryesor i terrorizmit është se ai mbështetet direkt nga Turqia, nga familjet mbretërore të Arabisë Saudite dhe një sërë vendesh perëndimore, në veçanti nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuara. Kurse vendet e tjera perëndimore janë spektatorë indiferentë që nuk bëjnë asgjë për të zgjidhur problemin. Terrorizmi duhet të luftohet në nivel ndërkombëtar sepse nuk përfshin vetëm Sirinë, kishte deklaruar Asad, duke shtuar se shumë vende kërkojnë të shohin dështimin e ushtrisë siriane, e cila sipas tij ka dhënë një kontribut të madh në luftën ndaj terrorizmit. Mediat dhe politikanët francezë vazhdimisht pohojnë se disa nga sulmet më të rënda të fundit në vend janë kryer nga njerëzit " e radikalizuar" në burgje. Të paktën 60 për qind e të burgosurve në Francë janë myslimanë, të cilët përbëjnë vetëm tetë për qind të popullsisë së vendit. Për këtë arsye, plani për zgjerimin e burgjeve i prezantuar nga kryeministri Vals, ka shkaktuar frikë tek myslimanët të cilët thonë se mund të jenë objekt i këtij qëllimi. Aktivistët dhe organizatat myslimane fajësojnë politikat sociale të Francës për numrin joproporcional të myslimanëve në burgje. Ata argumentojnë se problemi i ka rrënjët në politikat e qeverisë për të izoluar myslimanët në vend, i cili besohet të ketë popullsinë më të madhe të myslimanëve në Evropën Perëndimore. Si rezultat i politikave të tilla, aktivistët thonë se, myslimanët kanë qenë të detyruar për të kaluar në periferi të varfra të qytetit, me shkollat të rëndomta, strehim të pamjaftueshëm dhe papunësi të lartë.