Skocia drejt ndarjes nga Britania
Qeveria skoceze së shpejti do të prezantojë një projekt-ligj për referendumin e dytë për pavarësinë nga Britania e Madhe, një përpjekje për të mbajtur vendin në Bashkimin Evropian.
Ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, u prit me brohoritje sensacionale kur ajo e bëri këtë njoftim gjatë një konference Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) të enjten. "Nëse mendoni për një sekondë të vetme se unë nuk jam serioze për të bërë atë që duhet për të mbrojtur interesat e Skocisë, mendoni përsëri", tha ajo. Këto komente të saj erdhën pasi kryeministrja britanike Theresa May, ka bërë të qartë se procesi Brexit do të përfundojë në 2019 dhe se Skocia nuk ka të drejtën e vetos mbi të. Edhe pse gati 52 % e britanikëve kanë votuar pro Brexit në referendumi e 23 qershorit, rreth 62 % e skocezëve kanë votuar kundër.