Itali, mbi 4 milionë të varfër
(last modified Mon, 17 Oct 2016 17:55:50 GMT )
Tetor 17, 2016 19:55 Europe/Tirane
  • Itali, mbi 4 milionë të varfër

Sot në Ditën Botërore kundër varfërisë, u prezantua në Itali Raporti i Karitasit mbi situatën ekonomike të familjeve italiane përgjatë vitit 2016.

Sipas këtij Raporti, në Itali jetojnë rreth 4 milionë e 600 mijë persona në kushtet e një varfërie ekstreme, të cilët përbëjnë 1 milion e 582 bërthama familjare. Kjo është shifra më e lartë që prej vitit 2005 e regjistruar në territorin italian. Shumica e familjeve të varfra gjendet në Italinë Jugore, ku prej vitit 2008 e deri më sot janë humbur 576 mijë vende pune. Rritje të nivelit të varfërisë përgjatë 2016 është shënuar dhe në Italinë Qendrore e Veriore, ku numri i familjeve të varfra është dyfishuar në krahasim me vitet më parë. Raporti i Karitasit, dokumenton se në Italinë Jugore, 66% e personave të varfërm në qendrat e kësaj organizate janë shtetas italianë e rreth 33.1 % prej tyre janë emigrantë. Ndërsa në Italinë Veriore, këto shifra përmbysen e shtetasit italianë të varfër janë rreth 34 % ndërsa emigrantët në kushtet e varfërisë ekstreme përbëjnë 64.5%. Ajo c’ka preokupon studiuesit e hartuesit e këtij Raporti, është se në krahasim me vitet e shkuara, niveli i lartë i varfërisë është më i pranishëm tek brezat e rinj se sa tek të moshuarit mbi 65 vjec. Rritja e nivelit të varfërisë e numrit të personave dhe familjeve të varfra godet më shumë se këdo adoleshentët e fëmijët, të cilët privohen nga pajisja me materiale didaktike, apo nga mundësitë për të pasur një të ardhme, duke i mbyllur horizontet e shtuar paaftësinë për të arritur e vendosur objektiva.

 

Tags