Situata e trazuar në Diyarbakir, sfidë për autoritetet turke
Gültan Kisanak, kryebashkiaku i qytetit turk me numrin më të madh të banorëve kurde, Diyarbakir, u arrestua dhe u mor në pyetje si pjesë e një hetimi anti-terrorist.
Kjo është transmetuar nga agjencia turke e lajmeve Anadolu. Kisanak kishte dëshmuar përpara një komision parlamentar për grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut. Ai është arrestuar së bashku me zëvendësin e tij nën akuzën e përkrahjes së grupit terrorist PKK. Arrestimi i kryebashkiakut të qytetit Diyarbakir ka shkaktuar protesta masive të popullit të këtij qyteti. Forcat e policisë janë përballur dhunshëm me protestuesit kurdë dhe mësohet se ka pasur të plagosur të shumtë nga të dyja palët. Analistët politikë janë të mendimit se arrestimi i kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë së Diyarbakir është një tjetër hap i qeverisë turke drejt shtimit të reprezaljeve ndaj popullsisë kurde me pretekstin e luftës kundër terrorizmit. Kulmi i protestave anti-qeveritare në Diyarbakir arriti në tetorin e vitit të kaluar kur banorët e qytetit Diyarbakir protestuan ndaj heshtjes dhe indiferencës së qeverisë së Erdoganit përballë krimeve të kryera nga terroristët e ISIS kundër popullsisë kurde në Kubani në veri të Sirisë. Që nga ajo kohë, qeveria e Ankarasë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Diyarbakir dhe rajone të tjera kurde në Turqi. Pas miratimit të ligjeve të reja të sigurisë në Turqi kritikët frikësohen nga acarimi i mëtejshëm të klimës politike në vend. Para disa muajsh, Parlamenti turk miratoi një ligj që do të godasë në radhë të parë deputetët e partisë kurde HDP, sepse është kërkuar që 50 prej 59 deputetëve të HDP t'u hiqet imuniteti. Shpjegim për këto hapa është konflikti që ka shpërthyer sërish në juglindje të Turqisë. Sipas të dhënave të qeverisë turke në dhjetë muajt e kaluar janë vrarë 4600 "terroristë"; veç kësaj janë vrarë 450 ushtarë dhe forca të sigurisë. Në lagjet kurde në juglindje të Turqisë, nëpër lagje banimi kalojnë tanke, rrugë të tëra janë bërë shkrumb e hi. A është kjo lufta e nevojshme kundër terroristëve të PKK, siç thekson qeveria? Edhe organizata të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch kritikojnë që veprimet e ushtrisë turke nuk janë në proporcion me ngjarjet dhe se ushtria nuk e ruan popullsinë civile në aksionet ushtarake. Por kritika të tilla kalojnë pa i bërë asnjë përshtypje Erdoganit. Demirtas, kreu i partisë kurde HDP druhet se dhuna në juglindje të Turqisë do të shtohet edhe më tej, kur partia e tij të spostohet jashtë Parlamentit me ligjin e imunitetit, duke bërë që zëri kurd në Parlament në këtë mënyrë të heshtë. Përfundimi në të cilin arrin Demirtas është pesimist. "Demokracisë turke po i mbarohet fryma. Për fat të keq nuk ka shenja që të bëjnë të shpresosh në një përmirësim të afërt, të shpejtë." Këtë pesimizëm të tij e vërteton qartë situata e rëndë në Diyarbakir dhe arrestimi i kryebashkiakut të këtij qyteti.