Kryetari i PE kritikon qëndrimet e Le Pen dhe Trump
Kryetari i Parlamentit Europian i cilësoi “mashtruese” e “të rrezikshme” qëndrimet e Marine Le Pen, kryetare e Frontit Kombëtar të Francës dhe të Donald Trump, kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Martin Shultz në një intervistë me gazetën austriake Der Standard deklaroi se qëndrimet e Marine Le Pen, kryetare e Frontit Kombëtar të Francës dhe të Donald Trump, kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA shprehin në një formë të re dhe të kamufluar aspiratat e ekstremistëve të djathtë. Ai shtoi se Le Pen kërkon daljen e Francës nga Eurozona, por ky veprim do t’a çonte Francën në buzë të humnerës. Kryetari i Parlamentit Europian tha se deklaratat dhe qëndrimet e Donald Trump janë edhe më të rrezikshme, sepse ai ka kërkuar ndalimin e hyrjes së muslimanëve në SHBA, dënimin e kompanive amerikane që transferojnë kapitalet jashtë vendit, fillimin e luftës tregtare me Kinën dhe daljen e Amerikës nga NATO.