Veprimi i FBI në kundërshtim me rregullat e zgjedhjeve në SHBA
(last modified Sun, 30 Oct 2016 18:12:48 GMT )
Tetor 30, 2016 19:12 Europe/Tirane
  • Veprimi i FBI në kundërshtim me rregullat e zgjedhjeve në SHBA

FBI-ja u këshillua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që të mos informonte Kongresin për hetimin e ri të postës elektronike të Hillary Clintonit.

Zyrtarë të këtij departamenti thanë se, kjo lëvizje bie ndesh me rregullat, që shmangin ndërhyrjet në zgjedhje. Sipas Departamentit të Drejtësisë, drejtori i FBI-së James Comey veproi në mënyrë të pavarur, kur përmes një letre informoi Kongresin për zhvillimet e reja. Vet Comey, në komentet e tij të mëparshme mbrojti vendimin e marrë dhe tha se, nëse hetimi nuk bëhej publik kjo mund të krijonte keqkuptim, pasi FBI-ja nuk ka ende dijeni për përmbajtjen e “e-mail”-eve të zbuluara së fundmi. Sidoqoftë, Comey gjendet tashmë nën presion të madh, pasi jo vetëm Clinton, por një sërë demokratësh, mes të cilëve senatorë veteranë, i kanë shkruar atij dhe prokurores së Përgjithshme, Loreta Lynch, që të japin më shumë detaje për hetimin deri të hënën. Sipas tyre, vendimi për të publikuar rihapjen e çështjes më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, po përdoret për qëllime politike. Kandidatja demokrate për Presidencën, Hillary Clinton tha se veprimi i FBI-së ishte jo vetëm i çuditshëm, por edhe i paprecedentë. Ish-Sekretarja e Shtetit sugjeroi se publikimi i hetimit mund të ndikojë jo pak në zgjedhje, duke qenë se votuesit meritojnë të dinë gjithçka dhe për momentin nuk dinë ende asgjë. Vendimi i FBI-së, sigurisht që u mbështet fuqishëm nga kandidati republikan Donald Trump, i cili veç akuzave për Clintonin dhe sjelljen e saj kriminale, sulmoi edhe Departamentin e Drejtësisë, për të cilin tha se po mbron rivalen e tij përmes një sistemi të manipuluar. Një anketim i ri në nivel kombëtar i publikuar sot, tregon se avantazhi i kandidates demokrate Hillary Clinton përkundër rivalit republikan Donald Trump është ngushtuar së tepërmi. Sondazhi u krye përpara se FBI-ja të njoftonte se ka prova të reja për çështjen e serverit privat të email-it gjatë kohës që zonja Clinton ishte Sekretare e Shtetit. Anketimi, i kryer nga ABC News / Washington Post, tregon një mbështetje prej 47% për Clinton dhe 45% për Trump në radhët e votuesve të mundshëm. Kjo është një rënie dramatike krahasuar me anketimin e një jave më parë, sipas të cilit Clinton udhëhiqte me 50% mbështetje, përballë 38% për Trump. Rezultatet e anketimit të sotëm, që e tregojnë zonjën Clinton me vetëm 2% avantazh, bazohen në intervista të kryera nga dita e hënë, 24 tetor, deri në ditën e enjte, 27 tetor, pra një ditë përpara se FBI-ja të shprehej për prova të reja. Anketimi pararendës, që e tregonte Clinton me 12% avantazh, ishte kryer gjatë periudhës 20 – 23 tetor. Gjatë periudhës ndërmjet dy anketimeve, vetë zoti Trump ka fituar 7% pikë më shumë, ndërsa Clinton ka humbur 3%. Evidentohet një entuziazëm më i lartë në radhët e republikanëve edhe përpara njoftimit të FBI-së. Anketimi i sotshëm tregon se 81% e republikanëve të regjistruar ka gjasa të votojnë, krahasuar me 75% të evidentuar gjatë një anketimi pararendës.

 

Tags