Rajoy bën betimin si kryeministër i Spanjës
Udhëheqësi konservator spanjoll, Mariano Rajoy është betuar si kryeministër i vendit këtë të hënë përpara Mbretit Felipe, pas më shumë se 10 muajsh ngërçi politik për shkak të mosformimit të një qeverie koalicioni pas dy raundesh zgjedhore.
Rajoy, kreu i Partisë Popullore, është rikthyer kështu në pushtet pas humbjes së shumicës absolute, por për çdo marrëveshje të re do të duhet të “firmosë” së bashku me partitë opozitare në mënyrë që të kalohen ligjet në një Parlament të fragmentarizuar dhe disi “armiqësor”. Kryeministri i ri fitoi votëbesimin në Parlament, pasi siguroi shumicën e thjeshtë gjatë së shtunës, të mundësuar nga abstenimi i socialistëve, por gjithsesi do të duhet të qeverisë mes përhapjes së skandaleve për korrupsion që kanë përfshirë partinë e tij. Me mijëra njerëz dolën në rrugët përreth Kongresit përpara votëbesimit, për të protestuar kundër Rajoy dhe për akuzat për korrupsion e shpenzime të fryra që karakterizuan mandatin e tij të parë në pushtet.