Shumica e anglezëve duan të qëndrojnë në BE
Rezultati i një sondazhi dëshmon se shumica e anglezëve përkrahin mbetjen e Anglisë në BE.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, është botuar rezultati i një sondazhi të zhvilluar nga Instituti studimor “BMG”, njëkohësisht me vendimin e gjykatës supreme të Anglisë, ku kërkohet ndërprerja e negociatave me BE për daljen e Anglisë nga ky union. 51 % e të anketuarve janë të mendimit se Anglia duhet të qëndrojë edhe më tej në BE, përballë 49 % që janë kundër. Plani i Theresa May, për të nisur negociatat për “Brexit”-in në fund të marsit të ardhshëm, nuk do të pengohet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, që vendosi se Parlamenti duhet të votojë për këtë çështje. Zëdhënësja e kryeministres britanike konfirmoi se, qeveria do të apelojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe se nuk do të ketë asnjë vonesë në procesin e largimit nga BE-ja. Por vendimi i Gjykatës së Lartë, sipas të cilit Parlamenti britanik duhet të aprovojë aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, ka entuziazmuar deputetët që duan qëndrimin në union. Gjithashtu i ka shtuar shpresat qeverisë skoceze, që të ketë më shumë zë në lëvizjen për t’u larguar nga BE-ja.