Reagimet ndaj arrestimeve masive në Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i33982-reagimet_ndaj_arrestimeve_masive_në_turqi
Pas arrestimit të disa politikanëve dhe gazetarëve në Turqi, kanë pasur një seri reagimesh vendore dhe ndërkombëtare kundër këtyre veprimeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 04, 2016 15:43 Europe/Tirane
  • Reagimet ndaj arrestimeve masive në Turqi

Pas arrestimit të disa politikanëve dhe gazetarëve në Turqi, kanë pasur një seri reagimesh vendore dhe ndërkombëtare kundër këtyre veprimeve.

Kancelarja gjermane është ndoshta zyrtarja e parë dhe një nga lideret më të fuqishme në botë që ka reaguar ndaj arrestimeve masive në Turqi, duke thënë se veprime të tilla ndikojnë negativisht në negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE. Angela Merkel, të mërkurën ka kritikuar arrestimin e gazetarëve në Turqi, duke thënë se Turqia me këto veprime, vetëm sa e largon veten nga anëtarësimi në BE. Por vetë kancelarja nuk ka qenë asnjëherë përkrahëse e idesë së pranimit të Turqisë në BE. Në mandatin e saj u përdor koncepti magjik i “partneritetit të privilegjuar”, që nuk do të thoshte gjë tjetër, veçse skepticizmin për një anëtarësim të plotë. Për një kohë të gjatë konservatorët gjermanë (edhe në vende të tjera) nuk mund ta përfytyronin të pranonin një vend mysliman si anëtar të BE. Nën qeveritë e mëparshme turke, shanset të paktën ekzistonin. Nën qeverinë aktuale jo më. Kjo është histori e shkuar tanimë. Nuk mund të ketë dy mendime për atë që po ndodh në Turqi. Prandaj reagimet e qeverisë gjermane dhe të opozitës tani janë përafruar. Të hënën e kësaj jave, kur u arrestua bordi drejtues i gazetës “Cumhuriyet” në Turqi, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert u shpreh se Gjermania është mjaft e shqetësuar. Liria e shtypit është tejet e rëndësishme. Në të njëjtën kohë, kreu i Të Gjelbërve, Cem Özdemir u shpreh se nuk ka më liri mendimi në Turqi dhe se ky vend nuk mund të bëhet më anëtar i BE-së. “Kush do të fusë dënimin me vdekje, mund të bashkohet me Korenë e Veriut, por jo me Bashkimin Europian.” Fjalë të qarta. Njëri flet për qeverinë, tjetri për opozitën. Këto janë role të ndryshme. Por ndërkohë kancelarja e ka kuptuar, se Gjermania dhe BE duhet që zhvillimeve në Turqi t’ua vënë emrin ashtu si e kanë. Tani ajo flet për zhvillime në masën më të lartë shqetësuese. Po ashtu sot Gjermania e ka thirrur të dërguarin e Turqisë në Berlin, për t’i paraqitur atij një notë proteste kundër arrestimit të deputetëve kurdë. Ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnamjer e ka paralajëmruar qeverinë turke të premten se po përdor luftën kundër terrorizmit si një pretekst për t’a heshtur opozitën. "Lufta kundër terrorizmit nuk duhet të jetë një justifikim për t’ia mbyllur gojën opozitës, apo edhe për t’i sjellë ata pas hekurave", tha Steinmeier. Ai gjithashtu tha se goditja e pajustifikuar e Ankarasë mund të ketë një ndikim të dëmshëm në marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian. Me urdhër të prokurorisë, policia turke gjatë një aksioni në orët e para të mëngjesit ka arrestuar 12 deputetët e partisë HDP. Midis të arrestuarve është edhe kryetari i kësaj partie Selattin Demirtaا. Arsyeja e arrestimit, sipas prokurorisë, është se kjo parti ka mbështetur partinë komuniste kurde, e cila konsiderohet si terroriste nga qeveria turke. Sipas mediave turke këto janë fjalët e para në prokurori të kryetarit të arrestuar “herët a vonë përpjekja jonë për demokraci do të triumfojë. Ky regjim i Erdoganit do të ndryshojë. Nuk kam asnjë kërkesë dhe asnjë pritje prej jush. Vetëm populli mund të më gjykojë për çështje politike”. Selattin Demirtash njihet si një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit Erdogan. Ai ka dalë kundër transformimit të Turqisë nga sistemi parlamentar në atë presidencial. Kundër arrestimeve ka shprehur keqardhje edhe raportuesja për Turqinë në Bashkimin Evropian (BE) Katy Piri, e cila ka shkruar “Shumë lajme të këqija po vijnë nga Turqia. Deputetët e partisë HDP po arrestohen”.