Putin përuron statujën e Vladimirit të Madh
Kremlini ka tashmë një Vladimir brenda dhe një tjetër që qëndron jashtë tij. Presidenti rus, Vladimir Putin zbuloi monumentin e Princit Vladimiri i Madh, ndërsa u bëri thirrje rusëve që të bashkohen përballë sfidave të jashtme, siç bëri adashi i tij 1.000 vite më parë.
Monumenti 17 metra i lartë për Vladimirin e Madh, sundimtari i shekullit të X që adoptoi fenë ortodokse për njerëzit e tij, ka shkaktuar mjaft debat. Jo vetëm për përmasat, por edhe për pretendimet ruse të një figure që, edhe Ukraina e konsideron si themeluesin e shtetit të saj. Presidenti Putin tha se Vladimiri i Madh krijoi themelet morale, mbi të cilat bazohen jetët e rusëve edhe sot, ndërsa shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar besnikëri kombit. “Sot është detyra jonë të qëndrojmë bashkë, përballë sfidave bashkëkohore dhe kërcënimeve, duke përdorur trashëgiminë tonë shpirtërore dhe traditat tona të çmuara të unitetit, për të ecur përpara duke vazhduar historinë tonë 1.000-vjeçare”, deklaroi Putin. Presidenti rus u shoqërua në ceremoni nga shumë udhëheqës politikë dhe fetarë të vendit, të cilët gjatë fjalimeve nuk përdorën kurrë termin Kiev, pavarësisht se Vladimiri i Madh sundoi mbi atë që quhej shteti “Kevan Rus”.