Kryeministri turk mbron arrestimin e anëtarëve të HDP
Kryeministri i Turqisë deklaroi se krerët e Partisë Demokratike të Popujve (HDP) duke injoruar paralajmërimet e Ankarasë kanë vazhduar përkrahjen financiare për PKK duke u bërë shkak për zgjerimin e pasigurisë në rajonet juglindore të Turqisë.
Benali Yildirim, kryeministër i Turqisë mbrojti arrestimin e krerëve të kësaj partie parlamentare dhe deklaroi se arrestimi i tyre është bërë në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Partia prokurde HDP vendosi të bojkotojë Parlamentin pas arrestimit të 11 ligjvënësve të saj. Partia Demokratike e Popullit, forca e dytë më e madhe opozitare në Asamblenë e Turqisë, sqaroi se tërheqja nuk do të jetë përfundimtare, por deputetët e saj do të rreshtin së marri pjesë në takimet e komisioneve dhe seancat parlamentare. Shumica e mbështetësve të partisë janë në juglindjen me shumicë kurde të vendit. Krerët e “HDP”-së, Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag janë lënë në qeli, në pritje të procesit gjyqësor. Veprimet e ekzekutivit turk ngjallën shqetësimin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Gjermania dhe Danimarka thirrën diplomatët turq për shpjegime. Sipas presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz, veprimi i Ankarasë vë në pikëpyetje bazën e një marrëdhënieje të qëndrueshme BE-Turqi.