Austria kërkon nga BE të marrë masa ndaj Turqisë
Ministri i jashtëm austriak kërkoi që BE të marrë masa ndëshkuese ndaj Turqisë për shkak të dhunës dhe represalieve ndaj mediave opozitare në Turqi.
Sebastian Kurtz, ministri i jashtëm i Austrisë, kërkoi që në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE, të diskutohet marrja e qëndrimeve më të ashpra të BE kundër Turqisë. Në një intervistë me mediat austriake, Kurtz theksoi se gjatë viteve të fundit Turqia gradualisht është larguar nga BE, ndërsa politikat e BE kanë mbetur të pandryshuara dhe kjo gjë nuk shkon. Ai shtoi se arrestimet masive të opozitarëve, deputetëve dhe gazetarëve, si dhe dëbimet masive nga puna të mësuesve, gjykatësve, policëve dhe ushtarakëve në Turqi, nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar nga BE.