Propozimi i Hollande për Trump
Presidenti i Francës i ka propozuar presidentit të sapo zgjedhur amerikan që të hyjë në bisedime lidhur me terrorizmin.
Francois Hollande në një letër drejtuar Donald Trump, vuri në dukje se për momentin paqja është në rrezik dhe duhet më shumë bashkëpunim dhe bisedime për zgjidhjen e situatës në LM. Për bashkëpunim ka bërë thirrje edhe kancelarja e Gjermanisë. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se për shkak të fuqisë ekonomike dhe ushtarake, SHBA-ja ka një rol dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme për zhvillimet në mbarë botën. “Ai që qeveris këtë vend me potenciale kaq të mëdha ekonomike, ushtarake dhe kulturore, ai ka dhe përgjegjësi për zhvillimet që influencojë gati mbarë botën”, theksoi Merkel duke shtuar se SHBA dhe Gjermaninë i lidhin vlerat. Merkel e uroi presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, por në mënyrë indirekte i bëri thirrje që t’i respektojë vlerat elementare demokratike. “Mbi bazën e këtyre vlerave unë i ofroj presidentit të ardhshëm amerikan Donald Trump, një bashkëpunim të ngushtë”, theksoi ajo në reagimin e saj të parë pas zgjedhjeve. Kancelarja Merkel nënvizoi në veçanti vlerat e përbashkëta demokratike që respektohen në Gjermani dhe SHBA, siç janë: “Demokracia, liria, respekti, drejtësia dhe vlerat njerëzore, pavarësisht nga prejardhja e tyre, ngjyra e lëkurës, feja, gjinia apo orientimi seksual dhe politik”.