Sulmi ndaj konsullatës gjermane në Afganistan
https://parstoday.ir/sq/news/world-i34801-sulmi_ndaj_konsullatës_gjermane_në_afganistan
Konsullata gjermane në Afganistan ka qenë shënjestër e një sulmi kamikaz, ku për pasojë, 4 persona kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që 100 të tjerë janë plagosur.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 11, 2016 14:47 Europe/Tirane
  • Sulmi ndaj konsullatës gjermane në Afganistan

Konsullata gjermane në Afganistan ka qenë shënjestër e një sulmi kamikaz, ku për pasojë, 4 persona kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që 100 të tjerë janë plagosur.

Sulmi ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, në Mazar-e-Sharif, në provincën veriore  Balkh dhe sipas një zëdhënësi të provincës, asnjë nga diplomatët gjermanë nuk është lënduar. Policia vendore e ka përshkruar shpërthimin si “tepër të fuqishëm” dhe raportoi se tre oficerë të policisë ishin plagosur. Ndërkohë, një zëdhënës i NATO-s tha se ky shpërthim kishte shkaktuar dëme masive në godinën e konsullatës, ku punonin rreth 30 persona. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se shumica e personelit të konsullatës, përveç dy vetave, kanë arritur të ikin ‘të sigurt e të palënduar’ dhe janë evakuuar, derisa forcat afgane dhe ato speciale të NATO-s ‘kanë zmbrapsur sulmuesit e armatosur rëndë”. Talebanët kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, përmes një email-i dërguar mediave afgane. Zëdhënësi i lëvizjes terroriste tha se shënjestra ishte konsullata, ndërkohë që Gjermanisë, ai iu referua si “pushtuesit”. Agresorë të armatosur kanë mësyrë pas shpërthimit, duke luftuar me forcat afgane dhe gjermane të sigurisë, deri në orët e para të mëngjesit. Një zëdhënës i guvernatorit të Provincës Balkh  tha se shpërthimi i bombës ka shkaktuar një vrimë të madhe në murin e kompleksit dhe luftëtarët e tjerë Taliban provuan të hyjnë brenda kompleksit përmes çarjes. Në Berlin, zyrtarët thanë se një takim krize i task forcës është thirrur nga Ministria e Jashtme e Gjemanisë, vonë në mbrëmje të 10 nëntorit, për të vlerësuar rrethanat e sulmit. Sulmi vjen vetëm 7 ditë pas bombardimeve ajrore të përbashkëta me NATO-n kundër talebanëve në distriktin verior  Kunduz, ku u vranë 30 civilë, 2 ushtarë amerikanë dhe 26 militantë talebanë. Qyteti i Mazar-e-Sharif është një nga më paqësorët dhe më të zhvilluarit në Afganistan. Edhe pse talebanët janë aktivë përqark kësaj zone, ky qytet nuk është një bastion i tyre. Sulmi vë në dukje problemet e sigurisë në vend, sidomos gjatë muajve të fundit, teksa shumë zona janë përfshirë në luftime të ashpra. Më herët gjatë këtij muaji, edhe konsullata indiane, e vendosur në qendër të qytetit Mazar-e-Sharif, u sulmua nga militantë të armatosur.