Çfarë pret Europa nga Trump?
https://parstoday.ir/sq/news/world-i35176-Çfarë_pret_europa_nga_trump
Europa kërkon vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Uashingtonin.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 14, 2016 17:03 Europe/Tirane
  • Çfarë pret Europa nga Trump?

Europa kërkon vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Uashingtonin.

Kështu u shpreh përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, lidhur me zgjedhjen e Donald Trumpit president. Ministrat u shprehën të interesuar të mësojnë detajet e planeve të udhëheqësit të ri amerikan, e megjithatë presin që raportet të jenë të mira. “Ne po presim me padurim një partneritet shumë të fortë me administratën e re amerikane. Kemi vendosur së bashku të bashkëpunojmë me të, që në javën e parë të ndryshimit të presidencës”, tha Mogherini. Europianët duhet të demonstrojnë unitet në tema të rëndësishme, si në marrëveshjen e klimës, ashtu dhe në zbatimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Të dyja marrëveshjet, Donald Trump i vuri në pikëpyetje gjatë fushatës elektorale dhe, në muajt e fundit, ai i preku europianët me deklaratat e tij për Rusinë dhe për rolin e NATO-s. Ndërsa presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz apeloi para takimit në Bruksel që të jemi të hapur. "Të dyja palët duhet të kthehen në nivelin zero e t'i japin një shans njëri-tjetrit. Presidenti Trump do të jetë një tjetër se fushatëbërësi Trump", ka thënë Schulz. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh në "Observer" se "nuk është koha për të vënë në pikëpyetje vlerën e partneritetit mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara." Veprimet e veçuara nuk duhet të jenë një opcion si për Amerikën ashtu edhe Europën. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier u shpreh në takim se Europa nuk e di se çfarë të presë nga republikani, ndërsa ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz tha se, pavarësisht ndryshimeve që mund të ketë, unioni duhet të jetë vet më i fortë dhe kjo - sipas tij, - vlente që para zgjedhjeve në SHBA. Në të njëjtën gjuhë u shpreh edhe homologu belg, Didier Reynders, duke theksuar, se "pavarësisht nga ajo se çfarë pamjeje do të ketë qeveria amerikane, ne e dimë prej kohësh, se Europa duhet të bëjë më shumë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes." Megjithatë, në Europë nuk janë të gjithë në një mendje lidhur me zgjedhjen e Trumpit. Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson nuk mori pjesë në takimin e së dielës, pasi e konsideron si negativ reagimin e Europës ndaj presidentit të zgjedhur. Në takim munguan gjithashtu ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, dhe ai hungarez, Peter Szijjarto, me këtë të fundit që kritikoi histerinë ndaj fitores së miliarderit. Qëndrimet e tyre bien në kundërshti me komentet e presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker, i cili paralajmëroi të premten se zgjedhja e Trumpit rrezikonte të dëmtonte lidhjet BE-SHBA në thelb e në strukturë. Disa dyshojnë në BE, ndërsa të tjerë bënë thirrje në takimin e ministrave të Jashtëm në Bruksel për gjetjen e forcave brenda vetes.