Traditat e Muharremit dhe Ashuras në Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i35188-traditat_e_muharremit_dhe_ashuras_në_turqi
Republika e Turqisë kufizohet me Iranin, Irakun, Sirinë, Azerbajxhanin, Armeninë, Gjeorgjinë, Bullgarinë dhe Greqinë dhe sipas statistikave të vitit 2015, ky vend ka rreth 77 milionë banorë. Pjesa më e madhe e muslimanëve në Turqi ndjekin medh’hebin sunit ku shumica janë hanefi dhe banojnë kryesisht në rajonet qendrore dhe perëndimore të Turqisë. Shiitët që përbëjnë rreth 25 milionë banorë të Turqisë janë ndarë në dy grupe: alevitët dhe shiitët imami (xhaferi).
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 14, 2016 18:29 Europe/Tirane
  • Traditat e Muharremit dhe Ashuras në Turqi

Republika e Turqisë kufizohet me Iranin, Irakun, Sirinë, Azerbajxhanin, Armeninë, Gjeorgjinë, Bullgarinë dhe Greqinë dhe sipas statistikave të vitit 2015, ky vend ka rreth 77 milionë banorë. Pjesa më e madhe e muslimanëve në Turqi ndjekin medh’hebin sunit ku shumica janë hanefi dhe banojnë kryesisht në rajonet qendrore dhe perëndimore të Turqisë. Shiitët që përbëjnë rreth 25 milionë banorë të Turqisë janë ndarë në dy grupe: alevitët dhe shiitët imami (xhaferi).

 

 

Pozita e Turqisë

 

Në mesin e të gjithë muslimanëve të Turqisë, Ehlibejti (as) ka një pozitë tepër të lartë e të nderuar dhe dashamirësit e Profetit të nderuar (savs) në Turqi, gjatë ditëve të muajit Muharrem organizojnë ceremoni të ndryshme dhe në forma të larmishme. Muslimanët turq janë të mendimin se mbajtja gjallë e kujtimit të tragjedisë në Qerbela është një obligim i rëndësishëm për të gjithë muslimanët. Gjatë viteve të fundit, televizioni shtetëror turk ka transmetuar emisione dhe dokumentarë të ndryshëm për të pasqyruar ngjarjet e Ashuras, martirizimin e Imam Huseinit (as) dhe të shokëve të tij besnikë. Në këto programe përfshihen edhe biseda me dijetarë dhe mendimtarë shiitë të Turqisë ku trajtohen aspektet dhe dimensionet e ndryshme të tragjedisë në Qerbela dhe mesazhi i dëshmorëve të Qerbelasë. Muaji i Muharremit dhe dita e Ashuras kanë pozitë dhe rëndësi qendrore në ceremonitë e ndryshme që organizohen nga shiitët e Turqisë. Çdo vit, shiitët xhaferi në Turqi organizojnë ceremoni në përkujtim të martirizimit të Imam Huseinit (as) dhe shokëve të tij.

 

Ceremonitë e zisë së muajit Muharrem në Turqi

Në orët e para të mëngjesit, mijëra shiitë të Turqisë mblidhen dhe kujtojnë ngjarjet e hidhura të Qerbelasë duke i improvizuar ato në një teatër publik ku ringjallet kujtimi i martirizimit të Imam Huseinit (as). Që nga dita e parë e deri në ditën e dhjetë të Muharremit, shiitët vishen me të zeza. Në disa rajone të Turqisë, shiitët mbi rrobat e zeza veshin pelerina të bardha që simbolizojnë qefinin dhe lidhin në kokë shirita të gjelbër ose të kuq ku shprehin gatishmërinë e tyre për tu sakrifikuar në rrugën e ndjekur nga Imam Huseini (as). Në dhjetëditëshin e parë të muajit Muharrem organizohen ceremoni të ndryshme zije në xhamitë e shiitëve në qytetet Stamboll, Ankara, Agdir, Izmir, Bursa etj. Personat bamirës, gjatë këtyre ditëve pregatisin dhe dhurojnë ushqime për zimbajtësit huseinianë.

 

Veshja e pelerinave të bardha  (qefin) në muajin Muharrem

 

Shiitët e Stambollit organizojnë ceremoni dhe programe të ndryshme ku marrin pjesë shumica e banorëve të Stambollit si dhe të ardhur nga qytetet e tjera. Një nga këto programe është organizimi i panairit të fotove nga Shoqata e shiitëve xhaferi të Turqisë në bashkëpunim me Bashkinë e Stambollit, ku paraqiten foto nga ceremoni të ndryshme të zhvilluara anembanë Turqisë nga muslimanët shiitë në ditën e Ashuras. Në panairin “Foto nga Ashura” ndodhet edhe fletorja e shënimeve  dhe ndjenjave të muslimanëve në lidhje me Imam Huseinin (as) dhe ngjarjet e Qerbelasë. Në këtë fletore, besimtarët shkruajnë shkrime të thjeshta, por edhe poezi dhe komente analitike. Çdo vit këto shënime përmblidhen në një libër të quajtur “Fletët e trishtuara nga Ashura”. Ceremonia më e madhe zhvillohet në ditën e Ashuras në sheshin Halkeli të Stambollit.  Ceremonia e Ashuras në në sheshin Halkeli në Stamboll i ka fillesat në vitin 1982 dhe themelues të saj janë Hoxhatulislam Selahudin Ozgonduz dhe Hoxhatulislam Hamid Turan.

 

Hoxhatulislam Selahudin Ozgonduz dhe Hoxhatulislam Hamid Turan

 

Gradualisht ceremonitë filluan të zgjeroheshin dhe në vitin 1991, për herë të parë mediat turke pasqyruan lajmet mbi organizimin e tyre. Dashuria e besimtarëve shiitë, po edhe e të tjerëve u bë shkak që numri i pjesëmarrësve në këto ceremoni të shtohet nga viti në vit dhe në vitin 2005, ceremonia e Ashuras në Stamboll u regjistrua në librin e rekordeve Guiness për tre aspekte. U regjistrua numri më i madh i pjesëmarrësve në një shfaqje teatrale (mbi 300 mijë). U regjistrua numri më i madh i aktorëve në një skenë (840 aktorë). U regjistrua edhe skena më e madhe e një shfaqjeje (2500 metër katror) në ceremoninë në Halkeli. Kjo ceremoni është regjistruar edhe nga UNESCO si ceremonia më e mirë huseiniane në botë.

 

Pamje nga ceremonia e zimbajtësve shiitë në Halkeli të Stambollit