Shtohen tensionet mes BE dhe Turqisë
Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian do t’i shqyrtojnë sot marrëdhëniet me Turqinë pasi javën e kaluar BE-ja e dënoi fuqishëm fushatën e Qeverisë kundër mediave dhe opozitës, por u përmbajt nga ngrirja e negociatave për anëtarësim.
Diskutimi ndodh pas muajve të tensionuar midis Ankarasë dhe Brukselit, pas aksioneve të presidentit Erdogan si përgjigje ndaj grusht shtetit të pasuksesshëm në korrik. Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar apo larguar nga puna pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në shtet pas përpjekjes për grusht shtet. Javën e kaluar BE-ja ashpër e paralajmëroi Turqinë se është duke i shkelur parimet kryesore siç janë qeverisja e të drejtës dhe ligjeve. Turqia është kandidate për anëtarësim në BE nga viti 1999. Ndërkaq, Turqia mund ta vendosë përmes referendumit nëse do t’i vazhdojë apo jo bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian vitin që vjen. Këtë deklaratë të tijën, presidenti Recep Tayyip Erdogan e shoqëroi me një paralajmërim lëshuar Brukselit se duhet ta ndajë mendjen për sa i takon aderimit të Turqisë. “Si president ju them që të presim deri në fund të vitit, pastaj do t’ia lëmë në dorë popullit. Sovraniteti i takon atij pa kushte, kjo është absolute, ndaj le të flasë populli. Edhe Britania, popullit iu drejtua. Ata se kishin këtë nevojë sepse ishin ndërkohë pjesë e BE-së, por thanë ‘hajde dalim prej këtej’, dhe u shkëputën. Tani është radha jonë”, tha Erdogan. Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në një takim të fokusuar tek çështja e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë për të cilën një pjesë mendojnë se ka rrëshqitur nga kursi i demokracisë pas grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik. Erdogani përmendi ndër të tjera dhe dënimin me vdekje, rivendosja e të cilit me shumë gjasë, do t’i dërrmonte çdo shpresë të vendit për t’u bërë pjesë e bllokut europian. “Nëse parlamenti e aprovon dënimin me vdekje, do ta miratoj edhe unë. Pas kësaj, çështja do t’i kalojë njerëzve që ta votojnë në referendum. Populli është autoriteti që vendos”, u shpreh Erdogan. Turqia pritet të mbajë në pranverë një votim kombëtar mbi ndryshimet kushtetuese, ku përfshihet shtimi i fuqive të Erdoanit në postin aktual duke krijuar kështu një sistem presidencial të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara apo Francës.