Merkel do të garojë për një mandat të katërt
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të kandidojë për një mandat të katërt në krye të Gjermanisë. Lajmin e ka bërë të ditur Norbert Röttgen, një pjesëtar i partisë CDU të kancelares, gjatë një interviste për CNN.
Deri më tani ka qenë ende e paqartë nëse ajo do të garonte sërish për postin që mban prej 11 vitesh. “Ajo do të kandidojë për Kancelare”, iu përgjigj Röttgen pyetjes së një reporteri, duke shtuar se Merkel “është totalisht e vendosur, e gatshme dhe me vullnet të plotë për të kontribuuar në forcimin e rendit liberal ndërkombëtar”. I pyetur më pas nga një tjetër gazetar i CNN-it, nëse kancelarja dëshiron ende të ruajë “rendin liberal në zonën transatlantike”, politikani i CDU-së (Unioni Kristian-Demokratik) dhe një aleat i afërt i Merkelit, Röttgen tha se Merkel është “një gur themeli i konceptit politik të Perëndimit, teksa vepron si një aktor global”. Gjithsesi, Röttgen paralajmëroi Perëndimin se për të pasur sukses si aktor global, “do të ishte e pamundur të mbështetej vetëm në një person”. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara është tepër e domosdoshme.Komentet e tij nuk kanë gjetur ende konfirmimin e partisë CDU apo të qeverisë gjermane.