Donald Trump rrezikon njerëzimin
Linguisti dhe filozofi i njohur amerikan, Noam Chomsky, ka paralajmëruar se Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tani është “organizata më e rrezikshme në historinë e botës”, për shkak se presidenti i ri amerikan, Donald Trump, hedh poshtë ndryshimet klimatike.
Në këtë linjë janë edhe shumë figura të njohura të lidershipit të republikanëve amerikanë. Profesori Chomsky, duke folur pas zgjedhjeve presidenciale, ka thënë se duket se krijesat njerëzore kishin ndërmend t’i përgjigjeshin asaj që ai e ka quajtur “çështja më e rëndësishme në historinë e tyre… duke përshpejtuar rrugën e racës drejt katastrofës”. Trump tashmë ka emëruar një mohues të njohur të ndryshimeve klimatike në krye të ekipit të tij të tranzicionit që do të merret me monitorimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Ambientit (EPA), dhe këshilltarë të tjerë që janë të njohur për lidhjet e tyre me industrinë e fosileve të naftës. Trumpi është zotuar gjithashtu se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, të cilën presidenti Barack Obama e kishte lavdëruar si “momentin që më në fund vendosëm të shpëtonim planetin tone”. Shkencëtarë të njohur të klimës kanë shprehur shqetësimin e tyre pas zgjedhjes së Trumpit, duke sugjeruar se ai mund të jetë “katastrofë e pakontrolluar për planetin”. Duke folur për faqen “Truthout”, Chomsky ka përmendur një raport të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, në të cilin thuhej se pesë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat dhe ku raportohej për ngritje të nivelit të deteve, me shkrirje të papritura të akullit dhe me efekte të tjera që ndikojnë në ndryshimet klimatike. Zgjedhjet e 8 nëntorit u kanë dhënë republikanëve kontroll total në Qeverinë amerikane dhe kjo do të thotë se ata tani janë bërë “organizata më e rrezikshme në historinë e botës”, ka theksuar Chomsky. “Fraza e fundit mund të duket e çuditshme, madje edhe e vrazhdë. Por, a është kështu? Faktet sugjerojnë se është ndryshe. Partia është e përkushtuar në vrullin sa më të shpejtë të mundshëm për shkatërrimin e jetës së organizuar njerëzore. Nuk ka asnjë precedent historik për një qëndrim të tillë”, ka theksuar ai. “Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura për të përmbledhur faktin se krijesat njerëzore po përballen me çështjen më të rëndësishme në historinë e tyre". Vlen të theksohet se presidenti i zgjedhur, bën thirrje për rritje të përdorimit të fosileve të ndryshme, përfshirë thëngjillin; duke shkërmoqur rregullat; refuzon ofrimin e ndihmës vendeve në zhvillim që po kërkojnë të kalojnë në energji të qëndrueshme; dhe në përgjithësi të mbërrijnë te shkëmbi sa më shpejt që është e mundshme”, shton profesori i njohur.