Paralajmërim për praninë e elementëve terroristë të ISIS në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i35779-paralajmërim_për_praninë_e_elementëve_terroristë_të_isis_në_evropë
Koordinatori kundër terrorizmit në Holandë, ka vlerësuar se organizata terroriste ISIS ka ndërmjet 60 dhe 80 operatorë në Evropë për të përgatitur dhe kryer sulme terroriste.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 20, 2016 04:29 Europe/Tirane
  • Paralajmërim për praninë e elementëve terroristë të ISIS në Evropë

Koordinatori kundër terrorizmit në Holandë, ka vlerësuar se organizata terroriste ISIS ka ndërmjet 60 dhe 80 operatorë në Evropë për të përgatitur dhe kryer sulme terroriste.

Në një intervistë ekskluzive me AP, Koordinatori Kombëtar Kundër terrorizmit dhe Sigurisë në Holandë, Dick Schoof tha se ISIS ju ka thënë mbështetësve në Evropë “që të mos vijnë në Siri, por të bëhen gati për sulme në Evropë”. Ai tha se Evropa ka pasur sukses në uljen e numrit të luftëtarëve të mundshëm të ISIS-it që udhëtojnë në Lindjen e Mesme, në vitet e fundit, por “kjo nuk do të thotë se kërcënimi i mundshëm i atyre që do të mund të udhëtonin është zhdukur”. Mbi të gjitha, ai paralajmëroi se suksesi në çrrënjosjen e luftëtarëve të ISIS-it në Irak dhe Siri po i shpërndanë militantët gjithandej botës. Ai vlerësoi se rreth 4 mijë deri në 5 mijë evropianë aktualisht luftojnë me ISIS-in në këto dy shtete. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara nga terrorizmi është ulur me 10 përqind në vitin 2015, duke përmbysur një trend 4 vjeçar të rritjes. Ky është konstatimi që bën raporti i “Indeksit global të terrorizmit 2016”, i hartuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe. Megjithatë, raporti që merr në shqyrtim të dhënat për terrorizmin global, të Konsorciumit Nacional për Studimet e Terrorizmit dhe Reagimin ndaj Terrorizmit (START), e po ashtu edhe burime të tjera, arrin në përfundimin se në nivel global, numri i vendeve me shifrat më të larta të vdekjeve në vitin 2015 u rrit në 23, plot 6 më shumë krahasuar me vitin paraardhës. Mes vendeve që përjetuan përkeqësime të dukshme në “Indeksin global të terrorizmit” janë Franca dhe Turqia. Nga ana tjetër, Danimarka, Franca, Gjermania, Suedia dhe Turqia regjistruan shifrat më të larta të vdekjeve nga terrorizmi vetëm për një vit, që nga viti 2000. Më shumë se gjysma e 557 vdekjeve kishin lidhje me grupin terrorist ISIS, sulmet e të cilit në Paris dhe Ankara ishin nga më të tmerrshmet në historinë e këtyre vendeve. Ndikimi ekonomik global i terrorizmit arriti në mbi 89 miliardë dollarë në vitin 2015, ndërsa pasojat më të rënda në këtë aspekt i ka vuajtur Iraku. Pesë vendet me ndikimin e përgjithshëm më të lartë nga terrorizmi janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Pakistani dhe Siria. Në këto vende, sipas raportit, ndodhën 72 përqind e të gjitha vdekjeve nga terrorizmi në vitin 2015.