Sarkozy, humbësi kryesor i zgjedhjeve paraprake në Francë
Raundi i parë i zgjedhjeve paraprake në Francë nxori fitues ish-kryeministrin François Fillon.
Edhe pse kishte shpresa të mëdha, ish-shefi i Elizesë, Nicolas Sarkozy është eleminuar nga përpjekja për të përfaqësuar Partinë Republikane të qendrës së djathtë në presidencialet e muajit maj. E diela solli po kështu zhgënjim për politikanin e moderuar, Alain Juppe, edhe ai ish-kryeministër. Sondazhet parazgjedhore e tregonin Juppe-n si favorit të votuesve, por situata kishte ndryshuar ditët e fundit përpara zgjedhjeve. Juppe, i cili u rendit i dyti, nuk e ka megjithatë të humbur mundësinë e fitores, pasi të dielën e ardhshme do të përballet me Fillon në balotazh. Ai që do të triumfojë do të jetë përfaqësuesi i qendrës së djathtë në zgjedhjet presidenciale, ku me shumë gjasë do të gjendet përballë lideres së ekstremit të djathtë, Marine le Pen. Socialistët në pushtet janë aq jopopullorë e të përçarë sa duken të pakta shanset që kandidati i majtë të arrijë t’i mbijetojë raundit të parë të muajit prill. Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, e ka pranuar disfatën në rundin e parë të zgjedhjeve të Partisë Konservatore, për zgjedhjet presidenciale në vitin 2017. “Nuk ia dola t’i bind votuesit”, tha Sarkozy gjatë fjalimit të mbrëmshëm në Paris para mbështetësve të tij, pasi doli i treti në këtë garë. Para tij u renditën ish-kryeministrat, Francois Fillon dhe Alain Jupe, të cilët do të ballafaqohen me njëri-tjetrin javën e ardhshme. Sarkozy tha se do ta mbështesë ish kryeministrin Fillon, i cili ishte kryeministër i Francës në periudhën 2007-2012. Sarkozy pati humbur zgjedhjet më 2012 kundrejt presidentit aktual, Francois Hollande. Nicolas Sarkozy Rezultatet e pjesshme të këtyre votimeve tregojnë se Fillon kishte gati 44%, Juppe afro 28%, ndërsa Sarkozy kishte mbledhur 21% të votave. Shumë francezë pyesin nëse fitorja e Donald Trumpit do të ndikojë edhe zhvillimet politike të vendit të tyre, ndërkohë që i ka dhënë krahë elementëve të ekstremit të djathtë si Le Penn, që tani vonë inauguroi selinë e fushatës së saj në Paris, jo larg Pallatit Presidencial. Ashtu si amerikanët, edhe shumë francezë ndihen të lodhur me “status quo”-në e shqetësohen për ekonominë, vendet e punës apo përhapjen e ekstremizmit.