Obama këshillon për bashkëpunim me Trump
Presidenti aktual amerikan Barack Obama përsëriti për botën këshillën: “Bëni durim dhe prisni që të shikoni çfarë qasjeje do të marrë presidenca e Donald Trump”.
Megjithatë, ai paralajmëroi se pasi të lërë Shtëpinë e Bardhë mund të kundërshtojë veprimet e pasardhësit nëse ai kërcënon vlerat amerikane. Komentet e tij vijnë në prag të takimit të krerëve të APEC-ut dhe në një kohë shqetësimesh në rritje mes grupeve të të drejtave të njeriut dhe atyre që lidhen me përzgjedhjet politike të Trump. Presidenti Barack Obama ende në detyrë u përpoq t'i qetësojë shtetet e APEC-ut. Ai u shpreh se zgjedhja e çdo presidenti sjell pasiguri. Obama kërkoi që t'i jepet një shans presidentit të ri. "Nuk është e njëjta gjë si të bësh fushatë elektorale dhe si të qeverisësh”, tha ai. Megjithatë emri Donald Trump lidhet drejtpërdrejt me proteksionizmin, të cilit i tremben shumë krerë shtetesh. Refuzimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë ishte tema qendrore në fushatën e Trump. Ndërkohë tani Kina kërkon që të nxisë bashkëpunimin në një projekt, ku të marrin pjesë të 21 shtetet e APEC-ut, nën drejtimin e Kinës. Kina nuk do të mbyllë dyert, ka thënë kreu i shtetit kinez, Xi Jinping. "Ne ndajmë qëndrimin, që të gjitha vendet pjesëmarrëse të APEC-ut, të punojnë në frymën e partneritetit për të krijuar një ekonomi botërore stabël, të qëndrueshme me një rritje ekonomike të ekuilibruar.”