Parlamenti Europian ngrin negociatat e anëtarësimit të Turqisë
Parlamenti Europian votoi për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Turqisë, një lëvizje kjo që mund të afrojë fundin e një procesi të zvarritur në kohë e mjaft të trazuar.Vota e eurodeputetëve nuk është detyruese dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nxitoi ta përshkruante si “të pavlerë”.
Fakti mbetet megjithatë që PE-ja i kërkoi Komisionit Europian dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të bllokut t’i bllokojnë bisedimet e nisura 11 vjet më parë.479 vota në sallë kanë qenë në favor të mocionit amendues të marrëdhënieve BE-Turqi, 37 kundër dhe 107 abstenuan. Pezullimi i negociatave është kritikuar nga ata që ndajnë bindjen se një hap i tillë nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta shtyjë Turqinë të marrë një qëndrim akoma më të ashpër mbi çështjet e të drejtave të njeriut.Kjo votë ishte një përgjigje ndaj shtypjes që Ankaraja i ka bërë opozitës politike dhe medias së pavarur që prej grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik.Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, megjithatë, rreshtohet në krahun e atyre që mendojnë se zgjidhja në këtë situatë nuk është kërbaçi.“Besoj se mënyra më e mirë për të forcuar demokracinë e Turqisë, rruga më efikase është ndërveprimi me të, është mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit. Nëse procesit të aderimit i vjen fundi, atëherë nga ky skenar të dyja palët do të dalin të humbura”, ka thënë Mogherini.