Erdogan kërcënon BE-në
https://parstoday.ir/sq/news/world-i36430-erdogan_kërcënon_be_në
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Turqia mund të hapë kufijtë e saj që emigrantët të vërshojnë drejt Europës, nëse Bashkimi Europian aprovon ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Ankaranë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 26, 2016 16:52 Europe/Tirane
  • Erdogan kërcënon BE-në

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Turqia mund të hapë kufijtë e saj që emigrantët të vërshojnë drejt Europës, nëse Bashkimi Europian aprovon ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Ankaranë.

Një ditë më parë, anëtarë të Parlamentit Europian votuan një mocion jo-detyrues, që kërkon nga Komisioni Europian dhe qeveritë kombëtare “ngrirjen” simbolike të negociatave, për shkak të reagimit “të tepruar” të vendit ndaj grushtit të dështuar të shtetit. Por, përtej shqetësimeve gjithnjë në rritje mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, Brukseli ka nevojë për ndihmën e Turqisë për të frenuar numrin e refugjatëve dhe emigrantëve që mbërrijnë në Europë përmes brigjeve të saj. “30-40 njerëz votojnë kundër propozimit dhe 4.500 të tjerët votojnë pro. Nuk do të kishte rëndësi nëse ju e aprovoni votën e Parlamentit. Kur 50.000 emigrantë u mblodhën në kufirin e Turqisë, ju shkaktuat trazira. Filluat të pyesnit ç’do të bënit nëse Turqia do të hapte dyert e saj. Po jua them, nëse shkoni më larg, do të hapim kufijtë”-kërcënoi presidenti turk. Gjithsesi, ka pak gjasa që qeveritë europiane të marrin parasysh votën e Parlamentit Europian. Gjermania, Franca dhe shumica e vendeve anëtare vijojnë të inkurajojnë angazhimin mes palëve dhe i tremben vënies në rrezik të bashkëpunimit me Erdogan lidhur me këtë çështje.