BE dëshiron bashkëpunimin me Rusinë
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier dëshiron që në përpjekjen për ndalimin e një gare të re armatimi të luajë rolin e saj edhe Rusia.
Kur krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të OSBE-së u takuan për herë të fundit situata gjeopolitike ishte ndryshe. Atëherë ishte viti 2010 dhe nuk mendohej aneksimi i Krimesë si edhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainën Lindore. “Siguria e Europës është në rrezik. Çështja e luftës dhe paqes është rikthyer në kontinent" , shkruan Steinmeier. Por Steinmeier nuk është përqëndruar tek dënimi i Rusisë. „Sado e vështirë të jetë marrëdhënia, ne nuk kemi nevojë për më pak, por për më shumë dialog”, shkruan Steinmeier në „Die Welt". Ministri i Jashtëm gjerman u kritikua ashpër në verë, kur akuzoi NATO-n, se me manovrat në Poloni po “mpreh shpatat dhe thërret këmbanat e luftës". Ministri i Jashtëm gjerman kërkoi një “dialog në nivel të barabartë" me Rusinë, i cili do të ishte i stacionuar mirë tek OSBE. Por përfaqësuesit e qeverisë Obama u shprehën skeptikë edhe për këtë iniciativë të re të Steinmeierit, duke e argumentuar këtë me faktin se Rusia edhe më parë nuk i ka respektuar marrëveshjet. Por situata mund të ndryshojë nën një president të ri, Donald Trump, i cili është shprehur pozitivisht në fushatë për Putinin dhe nga ana tjetër e ka vënë në dyshim mbështetjen për partnerët e NATO-s, nëse ato do të vazhdojnë të mos paguajnë shumën e duhur për mbrojtjen, qëndrime që kanë sjellë pasiguri tek partnerët europianë. Tashmë Europa duket e tradhtuar nga SHBA dhe e frikësuar nga Rusia. Ndërkohë, Instituti Ndërkombëtar për Studimet Strategjike, IISS ka paralajmëruar për një aspekt tjetër të sigurisë politike - humbjen e supremacisë teknike dhe ushtarake të perëndimit kundrejt Rusisë dhe Kinës. Më së shumti kjo lidhet me uljen e shpenzimeve të mbrojtjes. Në një raport të IISS thuhet, se nëse para 15 vjetësh vendet europiane të NATO-s, mbanin 649 batalione ushtrie, sot ato kanë gati vetëm 200 batalione. Po aq dramatike është edhe rënia e numrit të avionëve luftarakë. Ndërkohë që Rusia nga viti 1991 ka shënuar rritje masive të armatimit. Drejtori i IISS, John Chipman shtron çështjen nëse NATO është vërtet e aftë të mbrojë ushtarakisht vendet anëtare që kufizohen me Rusinë. "Garancia e NATO-s bazohet në pritshmërinë e forcimit të shpejtë të mbrojtjes në rast nevoje.” Por që tani Rusia është në gjendje "të pengojë aksesin dhe misionet në hapësirën baltike.” Shpenzimet e vendeve europiane, anëtare të NATO-s kapin vetëm 1% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa SHBA, 4%. "Kjo nuk është shpërndarje e drejtë e barrës”, kritikon Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Objektivi është rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Sidoqoftë, pas ardhjes në pushtet të Donald Trump në SHBA dhe shkurtimit eventual të kontributit të SHBA në buxhetin e NATO-s, BE e sheh më të udhës bashkëpunimin me Rusinë dhe uljen e tensioneve me Moskën.