Kriza e emigrantëve, rekord i ri ardhjesh në Itali
Numri i emigrantëve që kanë arritur me anije në Itali këtë vit i ka tejkaluar rekordet paraprake,
siç tregojnë informacionet e Ministrisë së Brendshme, ndërsa vendi po lufton për të përballuar fluksin e madh të të porsaardhurve.Italia po mban barrën e emigrantëve që po përpiqen të hyjnë në Europë që prej implementimit të një marrëveshje në muajin mars mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, për reduktimin e fluksit drejt Greqisë.Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme deri në 28 nëntor 171 mijë e 299 emigrantë kanë mbërritur në brigjet italiane me anije, krahasuar me 170 mijë e 100 njerëzve që mbërritën në të gjithë 2014-ën.Vitin e kaluar 154 mijë emigrantë erdhën nga korridori vdekjeprurës i Mesdheut qendror, duke e çuar në gati gjysmë milioni numrin e të ardhurve në 3 vjet. Mbi 176 mijë azilkërkues jetojnë tani në qendrat italiane të strehimit dhe ka pasur një numër rekord kërkesash për azil.