Politikat e BQE kanë çuar në rritje ekonomike
Politikat monetare të Bankës qendrore europiane po krijojnë hapësirë për qeveritë që të kryejnë reformat e tyre ekonomike.
Kështu ka deklaruar presidenti i Bankës qendrore europiane Mario Dragi nga Spanja referuar rezultateve të politikave të tij ultra liberale. Ne po ulim rrezikun që norma e ulët aktuale e rritjes të kthehet permanente, por nuk mund ta eliminojmë të vetëm këtë rrezik, tha Dragi, teksa ju përgjigj edhe kritikëve se normat e ulëta u kanë dhënë më shumë se ç’duhet hapësirë qeverive për të vepruar. “Politika monetare është duke ofruar mbështetje dhe hapësirë për qeveritë për të kryer reformat e nevojshme strukturore. Pastaj varet nga qeveritë nëse duan të veprojnë në nivel individual apo bashkërisht në nivel europian”, tha ai. Kreu i institucionit më të rëndësishëm financiar europian tha se rimëkëmbja ekonomike e Evropës edhe pse modeste është solide, duke shtuar se përmirësimet janë të dukshme jo vetëm në nivelin e inflacionit, por edhe prodhimi i brendshëm bruto sipas tij është kthyer në vitet e para krizës. Për Dragin faktorët kryesorë të kësaj rimëkëmbje kanë qenë çmimet e ulëta të naftës dhe politikat monetare të institucionit që ai drejton.