Shtyhet dorëheqja e kryeministrit të Italisë
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella i kërkoi dje në mbrëmje kryeministrit italian, Matteo Renzi të shtyjë dorëheqjen për të mundësuar miratimin e buxhetit 2017 në Parlament.
Kryeministri italian, Matteo Renzi dje në mbrëmje shkoi në Quirinal, selia e presidencës italiane, për t’i paraqitur dorëheqjen presidentit të vendit, Sergio Mattarella. Matteo Renzi ka njoftuar më herët se do të jepte dorëheqje pas dështimit që pësoi në referendum reforma kushtetuese. Mediat italiane spekuluan mbi mundësinë se kjo dorëheqje nuk do të pranohej, por do të shtyhej për disa ditë për të mundësuar votimin përfundimtar në Parlament të buxhetit 2017. Kreu i Shtetit mund t’a dërgojë vendin direkt në zgjedhje të parakohshme, një skenar ky që nuk është rekomanduar nga ekspertët, me qëllim që të mos ketë destabilitet. Ndërkohë, dy alternativa të tjera janë caktimi i një qeverie teknike me ekspertë jo të lidhur me politikën, ose dhënia e besimit ndaj një tjetër Kryeministri që do të vijë nga Partia Demokratike, i cili do të ekzekutojë edhe pjesën e mbetur të mandatit.