Mundësitë për kryeministrin e ri të Francës
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve është emëruar në postin e kryeministrit, duke zëvendësuar kështu Manuel Vallsin, i cili dha dorëheqjen në mënyrë që të mund të kandidojë për presidencën vitin e ardhshëm.
Valls ia paraqiti dorëheqjen e tij presidentit François Hollande këtë të martë, ndërsa Cazeneuve do të jetë në krye të qeverisë socialiste në Francë deri në zgjedhjet parlamentare të qershorit të ardhshëm. Ai ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e sigurisë së Francës, që prej sulmeve terroriste në Paris gjatë nëntorit të vitit të kaluar. Valls, nga ana tjetër, pritet të përballet me kandidatë të tjerë të mundshëm brenda Partisë Socialiste, në “primaret” e muajit të ardhshëm, tashmë që Franca ka kopjuar sistemin amerikan të zgjedhjeve. Javën e kaluar, në një lëvizje që habiti shumëkënd, presidenti Hollande njoftoi se nuk do të garonte për një mandat të dytë në krye të Elizesë. Ai është i pari president, që prej krijimit të Republikës së pestë të Francës në vitin 1958, i cili nuk tenton rizgjedhjen. Nëse përzgjidhet si kandidati zyrtar i socialistëve, Valls pritet të përballet me François Fillon dhe Marine Le Pen në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të muajit prill.