Gentiloni merr votëbesimin e Senatit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i38569-gentiloni_merr_votëbesimin_e_senatit
Pas votëbesimit të parë në Dhomën e Deputetëve, me 368 vota pro dhe 105 kundër, Paolo Gentiloni ka marrë këtë të mërkurë edhe votëbesimin në Senat, aty ku siguroi 169 vota pro dhe 99 kundër.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 15, 2016 03:44 Europe/Tirane
  • Gentiloni merr votëbesimin e Senatit

Pas votëbesimit të parë në Dhomën e Deputetëve, me 368 vota pro dhe 105 kundër, Paolo Gentiloni ka marrë këtë të mërkurë edhe votëbesimin në Senat, aty ku siguroi 169 vota pro dhe 99 kundër.

Në sallën e Pallatit “Madama”, kryeministri i ri italian hyri duke kërkuar një besim “disi të veçantë” ndaj “qeverisë së përgjegjshmërisë”. “Kërkoj votëbesimin tuaj, teksa shpreh besimin tim për Senatin”, ka thënë mëngjesin e kësaj të mërkure kreu i ekzekutivit italian, duke pretenduar se ndante qëndrim plotësisht të ngjashëm për reformën kushtetuese, e cila u hodh poshtë nga italianët në referendumin që i kushtoi postin edhe kryeministrit të dorëhequr Matteo Renzi, megjithëse gjendej përballë një Senati që vazhdonte të kishte funksionet e tij të plota. Në votim nuk morën pjesë “Ala” dhe “Lega”, ndërsa “Lëvizja 5 Yjet” ka votuar kundër. Qeveria e Matteo Renzit, më 25 shkurt të vitit 2014 mori votëbesimin e Senatit me të njëjtin numër votash në favor. Senatorët e “5 Yjeve”, gjatë argumentimeve për votën “kundër” në këtë proces votëbesimi, kanë shfaqur në sallë pankarta me shënimin “20 milionë Jo”. Sa u përket votave, presidenti i nderit i Republikës dhe senatori i përjetshëm, Giorgio Napolitano ka votuar pro, sikurse edhe “kolegu” i tij Mario Monti. Ndërsa në votim nuk ka marrë pjesë, në kundërshtim me grupin e tij, Maurizio Sacconi. Paolo Gentiloni e mori mbështetjen e Senatit për qeverinë e tij, por kundërshtarët janë hedhur në sulm duke e akuzuar se vazhdon të kontrollohet nga paraardhësi i vet, kryeministri i dorëhequr Matteo Renzi. Rivalet duken të vendosur të mos e lejojnë ish-ministrin e Jashtëm 62-vjeçar të shijojë një “muaj mjalti” politik, shkruan “The Guardian”. Fillesat e tij në postin e kreut të Ekzekutivit, Gentiloni, që rrjedh nga një familje e vjetër fisnike, duket se nuk do t’i ketë të lehta. Vendimi për të mbajtur në qeveri thuajse të gjithë anëtarët kyçe të kabinetit të Renzit dhe aleatët politikë, përfshirë autoren e reformës së dështuar kushtetuese Maria Elena Boschi, i kanë dhënë zë pretendimeve të lëvizjes “Pesë yjet” se Ekzekutivi vazhdon të kontrollohet nga kryeministri i larguar. Duke e krahasuar situatën e Italisë me Brexit-in në Britani, njeriu që mund të përfaqësojë “Pesë yjet” në zgjedhjet e parakohshme, Luigi di Maio, kujtoi se edhe David Cameroni e dha dorëheqjen pas disfatës, por nuk dëgjoi më njeri për të. Detyra më e rëndësishme e Gentilonit do të jetë mbikëqyrja e ndryshimit të ligjit elektoral që duhet miratuar përpara mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Ai mund të detyrohet gjithashtu të kujdeset për shpëtimin miliarda eurosh të bankës se tretë më të madhe të vendit, Monte dei Paschi di Siena, në rast se ajo nuk arrin të sigurojë investitorë mjaftueshëm për një rikapitalizim privat.