BE zgjat sanksionet kundër Rusisë
Bashkimi Evropian i ka vazhduar sanksionet kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj.
Këto sanksione i janë imponuar Moskës në përgjigje ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Sanksionet së pari u imponuan më 31 korrik të vitit 2014, pasi Rusia e aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë dhe u ka dhënë mbështetje separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës. Nga lufta ndërmjet forcave qeveritare dhe këtyre kryengritësve janë vrarë më se 9 mijë njerëz. Bashkimi Evropian ka njoftuar sot se i vazhdon sanksionet, pasi Marrëveshjet paqësore të Minskut, të cilat janë nënshkruar edhe nga Rusia, nuk do të mund të implementohen tërësisht deri në fund të vitit. Kjo zgjatje e sanksioneve ishte në linjë me marrëveshjen e arritur ndërmjet ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, më 18 dhjetor. Sanksionet kanë të bëjnë me sistemin financiar, energjetik dhe të mbrojtjes. Sanksione janë imponuar edhe kundër individëve të veçantë të ndërlidhur me aneksimin e Krimesë dhe me konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.