Kambanat e terrorizmit në Berlin
Përplasja e kamionit me një numër të madh të qytetarëve në qytetin Berlin të Gjermanisë, edhe njëherë tjetër ka shkaktuar frikë dhe zemërim tek qytetarët evropianë.
Në këtë ngjarje e cila ndodhi në prag të ditëlindjes së hz. Isa (as) dhe Vitit të Ri sipas kalendarit gregorian, një kamion ka goditur qytetarët në një treg lokal , ku mbetën të vrarë 12 persona mbi 50 të tjerë janë plagosur. Edhe pse policia në fillim ngurroi ta përkufizonte si të tillë, deklarata e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere nuk lë shteg për dyshime: sulmi i Berlinit ishte akt terrorist. Njeriu që përplasi kamionin e vdekjes mbi tregun e shumëpopulluar të Krishtlindjeve në zemër të kryeqytetit gjerman është azilkërkues pakistanez e ka hyrë në Gjermani si refugjat shkurtin e këtij viti. Aktualisht ai po merret në pyetje nga autoritetet e sigurisë. Personi që vrau 12 vetë e plagosi 48 të tjerë, sipas të përditshmes Tagesspiegel njihej nga policia për shkelje të vogla, por jo për lidhje me terrorizmin. Pasi përplasi kamionin me tezgat e tregut që gëlonte nga njerëzit, si vendas, ashtu edhe turistë, autori i sulmit është larguar në këmbë. Ai ka tentuar të shfrytëzojë erresirën për t’u fshehur me parkun e madh publik Tirgarden, por një dëshmitar okular e ndoqi nga pas për rreth 2 km dhe lajmëroi policinë për vendndodhjen e tij. Një shtetas polak u gjet i vdekur në kamion. Ai është me shumë gjasa shoferi i vërtetë, të cilin refugjati mund ta ketë vrarë për t’i marrë mjetin. Kamioni me targa polake, sipas Corriere della Sera-s kishte kaluar nga Italia e pasi të linte ngarkesën e shufrave të çelikut në Berlin, do të rinisej drejt Polonisë. Kushëriri i shoferit përjashton çdo përfshirje të tij në aktin terrorist. “Jemi rritur bashkë. Vë dorën në zjarr për të”, tha ai. Pas ministrit të Brendshëm De Maiziere, edhe vet Angela Merkel e pranoi se episodi tragjik i Berlinit është me shumë gjasë një akt terrorist. Personat përgjegjës për ngjarjen që tronditi Gjermaninë, e që pati jehonë të menjëhershme në mbarë botën, do të ndëshkohen sipas kancelares gjermane me “fuqinë e plotë të ligjit”. Sipas saj, situata do të ishte edhe më e dhimbshme nëse rezulton se agresorit, që besohet të ketë hyrë në vend nga fundi i 2015-s ose në fillim të këtij viti, i është dhënë e drejta e azilit. “E di që do të ishte edhe më e vështirë për t’u duruar, nëse do të konfirmohej se personi që kreu këtë akt është përfitues i mbrojtjes dhe azilit në vendin tonë. Gjermania është sot e bashkuar në vajtimin e jetëve të humbura. Na duhet të supozojmë se bëhet fjalë për një sulm terrorist”, tha Merkel. Ngjarja e rëndë e së hënës mund të sjellë telashe të mëdha politike për Merkelin e vënë prej kohësh në shënjestër të kritikave për politikën e saj të dyerve të hapura. Megjithatë, deri në kohën kurë Azia Perëndimore dhe Afrika e Veriut digjen për shkak të veprimeve të gabuara të perëndimit, Evropa nuk mund ta shpëtojë veten nga sulmet terroriste. Gjiganti që ka dalë jashtë llambës magjike dhe kur sheh që në tokat islame gjaku po derdhet, nuk njeh kufij bile edhe nuk ngurron të sulmojë mbështetësit e tij.