Mesazhi i pashoq i Obamës drejtuar Rusisë
Presidenti i Amerikës ka paralajmëruar presidentin e Rusisë mbi mundësinë e një konflikti ushtarak mes Moskës dhe Uashingtonit.
Barack Obama duke iu drejtuar presidentit rus Vladimir Putin e ka paralajmëruar atë se ndërhyrja në procesin e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë mund të rezultojë me një konflikt ushtarak mes Rusisë dhe Amerikës. Presidenti amerikan duke përdorur linjën e kuqe të telefonit, ka paralajmëruar se ligjet ndërkombëtare lidhur me luftën përfshijnë edhe veprimet kibernetike dhe Rusia do të përgjigjet për veprimet anti-amerikane të saj sipas ligjeve ndërkombëtare të luftës. Më herët Obama në kontaktet e tij me Rusinë nuk ka përdorur asnjëherë linjën e kuqe të telefonit. Barack Obama javën e kaluar ka deklaruar se ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale është konfirmuar nga CIA dhe sulmet kibernetike janë drejtuar nga qeveria ruse. Shkas për reagimet e Obamës në fund të mandatit të tij, është bërë humbja e demokratëve në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Presidenti amerikan Barack Obama fajësoi strategjinë e partisë së tij në fushatë, duke thënë se demokratët pësuan humbje të rënda në zgjedhjet e muajit të kaluar pasi nuk bënë fushatë në zonat rurale që kanë plot probleme. Obama mori një pjesë të fajit dhe shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Hillary Clintonit, por tha se kandidatët demokratë në të ardhmen duhet të shkojnë në terren. Sipas tij, pikërisht kjo ndodhi në zgjedhje, pasi demokratët, duke konsideruar shumë zona të sigurta, nuk bënë atje fushatë, nuk shkuan te njerëzit, e si pasojë humbën bindshëm. Clinton fitoi kryesisht në zonat urbane dhe bregdet dhe u akuzua nga kritikët se injoroi shtete si Wisconsin dhe Iowa. Obama tha se demokratët nuk u përpoqën që të tërhiqnin edhe votuesit jashtë qendrave të populluara, ndërsa humbjet në garat shtetërore dhe lokale tregojnë problemet e partisë. “Ne dështuam dhe nuk u treguam dot njerëzve në zonat rurale se luftojmë për ta dhe jemi të lidhur me ta. Që ta arrinim këtë, ne duhej të ishim shfaqur pranë tyre dhe kjo do t’u jepte njerëzve besim”, deklaroi Obama. Presidenti i SHBA-ve bëri mjaft fushatë për Clintonin në shtete si Florida, Karolina e Veriut, Ohio dhe Pensilvani, udhëtime që zyrtarë të ndryshëm thonë se u diktuan nga shtabi i Clintonit dhe jo Shtëpia e Bardhë. Madje, në fund të fushatës, kur Obama kërkoi të shkonte në Iowa, ekipi i Clintonit e hodhi poshtë idenë dhe e dërgoi presidentin në zona që ata mendonin se ishin më të luftuara. Pikërisht kjo humbje e demokratëve, përfundoi me nxjerrjen e një raporti të CIA-s ku flitet për ndërhyrjen kibernetike të Rusisë në procesin zgjedhor në Amerikë.