Amerika synon të frikësojë Rusinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i39349-amerika_synon_të_frikësojë_rusinë
Pentagoni ka nisur ditën e sotme transferimin e pajisjeve të rënda në katër bazat evropiane të NATO-s si pjesë e operacionit “NATO Atlantic Resolve”, për të siguruar aleatët përballë një Rusie agresive.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 21, 2016 17:54 Europe/Tirane
  • Amerika synon të frikësojë Rusinë

Pentagoni ka nisur ditën e sotme transferimin e pajisjeve të rënda në katër bazat evropiane të NATO-s si pjesë e operacionit “NATO Atlantic Resolve”, për të siguruar aleatët përballë një Rusie agresive.

Ky është përforcimi ushtarak më i madh i NATO-s në kufijtë ruse që prej kohës së Luftës së Ftohtë. Katër bazat ndodhen në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë. Bëhet fjalë për të njëjtat struktura të përdorura edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Në Holandë do vendosen 1600 mjete të rënda në kompleksin Eygelshoven, me sipërfaqe 500 mijë metra katrorë. Mjetet përfshijnë karrot e blinduara M1 Abrams, mjete luftarake Bradley dhe M109 Paladin. Kjo bazë është inauguruar në 1985 si një bazë që do t’i bënte ballë një bastisje të mundshme nga Rusia.  Ndwrkohë, “të gjitha kanalet e komunikimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë të ngrira”, ka komunikuar këtë të mërkurë zyra e shtypit e Kremlinit. “Thuajse çdo nivel dialogu me Shtetet e Bashkuara ka ngrirë. Ne nuk komunikojmë me njëri-tjetrin, edhe kur e bëjmë është në nivelet minimale”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.  Moska zyrtare, sipas agjencisë së lajmeve “RIA”, ka deklaruar gjithashtu se nuk pret që administrata e re amerikane të ndryshojë planin e zgjerimit të NATO-s brenda natës.  Deklaratat vijnë pas një seri akuzash publike të bëra nga figurat më të larta të politikës amerikane, përfshirë presidentin në ikje Barack Obama, pasi CIA dhe FBI-ja deklaruan se besonin se Rusia fshihej pas sulmeve informatike që çuan në humbjen e zgjedhjeve presidenciale nga Hillary Clinton. Ditën e martë, senatori republikan John McCain deklaroi se përfshirja e Rusisë në sulmin e sistemeve amerikane gjatë zgjedhjeve kërcënon të “shkatërrojnë demokracinë”. Senatori i Arizonës paralajmëroi se së shpejti mund të kemi një “shthurje të rendit botëror” dhe kritikoi “dështimin absolut të lidershipit amerikan” për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën.  Agjencia “RIA, që citon zëdhënësin Peskov, shton se ai nuk saktësoi nëse presidenti Vladimir Putin do të kërkojë të rizgjidhet në vitin 2018.“Të gjithëve po na dhemb koka për shkak të punës së shumtë dhe projekteve dhe askush nuk e ka mendjen tek zgjedhjet”, tha Peskov.  Por njohës të politikës ruse presin që Putin të kandidojë sërish për presidencën.