Lufta e Ftohtë e re: Ku do arrijë gjatë mandatit Trump?
Është e vështirë për të dhënë data të sakta për luftërat që nuk përdorin barut. Disa konsiderojnë se Lufta e Ftohtë ka përfunduar me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fund të vitit 1991, ndërsa të tjerë konsiderojnë se rënia e Murit të Berlinit në fund të vitit 1989 është momenti dallues karakteristik për fundin e Luftës së Ftohtë.
Opinion
Muhammed Salih al-Futejh
Gjithashtu, përcaktimi i momentit të shpërthimit të Luftës së Ftohtë nuk është çështje e lehtë. Disa konsiderojnë se ajo filloi me fundin e Luftës së Dytë Botërore në skenën evropiane, në maj të vitit 1945, disa të tjerë konsiderojnë si fillim të asaj lufte fjalimin e Winston Churchill në mars 1946, i njohur si fjalimi “Perdja e Çeliktë”, i cili bëri thirrje për një aleancë britanike-amerikane për përballje me sovjetikët, ndërsa të tjerë theksojnë se lufta shpërtheu në vitin 1947 me kristalizimin e doktrinës “Truman” që kishte si qëllim frenimin e Bashkimit Sovjetik.
E njëjta vështirësi haset edhe për të përcaktuar fillimin e luftës së ftohtë të re. Në konferencën e sigurisë në Munih gjatë shkurtit të kaluar, kryeministri rus Dimitri Medvedev ka folur për herë të parë se bota ka hyrë në një luftë të ftohtë të re; nuk doli askush në Perëndim që të mohojë se bota tashmë është duke jetuar një luftë të re të ftohtë. Nuk përcaktoi Medvedev, apo tjetërkush, kur filloi kjo Luftë e Ftohtë; ndoshta filloi me krizën ukrainase dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë në fillim të vitit 2014, apo ndoshta edhe më herët me artikullin e botuar nga Vladimir Putin kur ishte kryeministër, në tetor 2011, kur foli për një projekt ekonomik për të bashkuar rajonin e Euroazisë, apo ndoshta më përpara me luftën gjeorgjiano-ruse në verën e vitit 2008. Më së shumti, fokusi tani është në trajektoren e vetë luftës.
Lufta e Ftohtë gjatë mandatit Obama
Edhe pse Obama e hapi mandatin e tij me afrimin me Rusinë, me atë që njihet si strategjia “Rifillimi (Restart)” në lidhje me marrëdhëniet ruso-amerikane, prapëseprapë këto marrëdhënie së shpejti u përkeqësuan pas akumulimit të një morie faktorësh, në krye të të cilave vazhdimi nga ana e Uashingtonit të zhvillimit të programit mbrojtës antiraketë dhe mbështetja e tij për procesin e zëvendësimit të sistemeve qeverisëse në një numër vendesh në botë, duke përfshirë Sirinë, Libinë dhe Ukrainën. Gjithashtu, rritja e aftësive ekonomike e ushtarake ruse dhe shpallja nga ana e Moskës të një pakete të madhe projektesh zhvillimi të forcave të armatosura ruse, i shkaktoi shqetësime Uashingtonit, i cili në fund e tërhoqi "degën e ullirit" që ia kishte zgjatur Moskës. Kulmi i përplasjes, pa dyshim, ishte me aneksimin që i bëri Moska gadishullit strategjik të Krimesë, ku ndodhet porti i Sevastopolit, për të cilin Uashingtoni për një kohë të gjatë i ka kërkuar Kievit anulimin e kontratës së dhënies me qira Moskës, me qëllim për të privuar këtë të fundit nga korridori i rëndësishëm që lidh me ujërat e ngrohta të Mesdheut.
Armiqësia shpërtheu publikisht mes Moskës dhe Uashingtonit dhe ky i fundit imponoi një paketë sanksionesh ekonomike e politike ndaj Moskës. Nuk përjashtohet mundësia që Uashingtoni të ketë ushtruar presion mbi disa vende të OPEC-ut për rritjen e furnizimit me naftë në tregjet botërore për të drejtuar një tjetër goditje ndaj Moskës. Ajo që e mbështet këtë perceptim është se çmimet e naftës janë përmirësuar sa herë që Moska dhe Uashingtoni shfaqin tendenca drejt bashkëpunimit, siç ndodhi në muajin shkurt, kur të dy palët ranë dakord për një marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve në Siri; që ishin, gjithsesi, momente optimiste jetëshkurtra. Ndërkohë që Moska u përpoq t’u përshtatej këtyre sanksioneve, të cilat në mënyrë të qartë ndikuan në projektet ushtarake ruse, Uashingtoni vazhdoi presionin nëpërmjet nxitjes së NATO-s për t’u zgjeruar në lindje dhe për t’u afruar më pranë kufirit rus. Papritmas, u duk sikur Evropa kërceu nëpërmjet makinës së kohës duke u kthyer në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Mobilizimi ushtarak dhe tensioni në kulmin e tij. Edhe ushtria amerikane u kthye për të zbatuar lloje stërvitjesh të cilat i kishte pezulluar dekada më parë. Për shembull, më 20 qershor 2016, avionë amerikanë të modelit “A-10 Thunderbolt” kryen ulje në një autostradë në Estoni, një nga republikat baltike ngjitur me Rusinë. Ky operacion uljeje ka qenë në të kaluarën pjesë e stërvitjeve amerikane për trajtimin e mundësisë së ekspozimit të aeroporteve evropiane ndaj bombardimeve ruse. Një operacion të tillë Uashingtoni e ka kryer për herë të fundit në vitin 1984, pra 32 vjet më parë.
Por me afrimin e përfundimit të mandatit të Obamës, u duk se Moska dhe Uashingtoni kërkojnë në mënyrë aktive afrimin mes tyre dhe shuarjen e fitilit të përballjes mes tyre. Pse ka ndodhur kjo dhe a do të vazhdojë gjatë mandatit të Trumpit?
Lufta e ftohtë gjatë mandatit Trump
Bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe në gjetjen e zgjidhjes së krizave siriane e ukrainase mund të jetë “ombrella” nën të cilën mund të takohen palët, por motivet e tyre për bashkëpunim janë shumë më të thellë. Armiku më i rrezikshëm i Uashingtonit sot dhe në të ardhmen e afërt është Kina, e cila ka rritur shpenzimet e saj ushtarake në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe të cilat kalojnë pragun e njëqind e pesëdhjetë miliardë dollarëve (Uashingtoni beson se shifra e vërtetë i kalon dyqind miliardët), pra, më shumë se dyfishi i shpenzimeve ushtarake ruse. Kapacitetet ushtarake kineze janë rritur në sasi dhe në cilësi dhe i kanë tejkaluar vlerësimet e mëparshme amerikane. Shtetet e Bashkuara dështuan të parandalojnë Kinën nga konvertimi i ishujve artificialë që ajo ka ndërtuar në Detin e Kinës Jugore në baza ushtarake të avancuara dhe që tani kërcënojnë aleatët e Amerikës në atë rajon strategjik ku kalojnë mallra me vlerë më shumë se 4 trilion dollarë në vit, duke përfshirë rreth gjysmën e ngarkesave detare botërore të naftës. Nuk ishte një rastësi që administrata Obama ka treguar një fleksibilitet të pashembullt gjatë muajve të fundit në marrëdhëniet me Moskën në të njëjtin moment në të cilin Kina ka treguar refuzimin e saj ndaj vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar mbi demarkacionin e kufirit detar në Detin e Kinës Jugore, si dhe në të njëjtin moment kur disa aleatë aziatikë të Amerikës filluan të kalojnë në anën e Kinës, më të spikatur deri më tani janë Filipinet, të paraprirë nga Tajlanda; ndoshta Malajzia mund të jetë pasuesja, pasi në fillim të muajit të kaluar të dyja palët nënshkruan një sërë marrëveshjesh - disa prej të cilave ushtarake - me vlerë më shumë se 34 miliardë dollarë.
Disa lexime amerikane thonë se sanksionet ekonomike dhe çmimet e ulëta të naftës, të cilat ndoshta nuk mund të përmirësohen shumë në vitet e ardhshme (në fillim të muajit të kaluar OPEC ka vlerësuar se çmimi i një fuçie nafte do të jetë në kufirin e 60 dollarëve deri në vitin 2020), do të kufizojnë ngutjen e Moskës dhe do ta detyrojnë atë që të shtyjë shumë plane ushtarake, duke lejuar Uashingtonin që të përqendrohet mbi Pekinin, i cili po përfiton në masë të madhe nga çmimet e ulëta të naftës. Uashingtoni është i vetëdijshëm se Kina, pavarësisht rritjes së aftësive të saj ushtarake, ende vazhdon të mbështetet në mënyrë jetike mbi importin dhe klonimin e teknikave dhe të pajisjeve ushtarake ruse, veçanërisht në fushën e aviacionit dhe të raketave. Një vështrim në bazat e reja ajrore kineze në Detin e Kinës Jugore do të mjaftonte për të zbuluar se shumica e avionëve të rëndësishëm kinezë janë prodhim rus ose klonim i teknologjive ruse. Avioni luftarak më modern kinez, J-15, që përdoret në bordin e aeroplanmbajtëses “Liaoning”, është kopja kineze e “Sukhoi 33” rus. Gjatë viteve të fundit Pekini ka nënshkruar me Moskën disa marrëveshje për të poseduar licenca prodhimi armësh ruse. Rishikimi i zbatueshmërisë së këtyre marrëveshjeve tregon një pjesë të madhe luhatshmërie, pasi Moska ka pezulluar disa nga këto marrëveshje disa herë gjatë viteve të fundit. Edhe pse ka nevojë për përfitime ekonomike nga nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla, Moska gjithashtu e kupton se rritja e aftësive ushtarake të Kinës do të shkaktojë rrezik për të në një ditë jo shumë të largët. Çfarë i duhet këtu Uashingtonit, në konfliktin e tij me Pekinin, është neutralizimi i Moskës sa më shumë të jetë e mundur. Për sa i përket Lindjes së Mesme, Uashingtoni gjithashtu ka nevojë që të neutralizojë Moskën në lidhje me konfliktin e mundshëm me Teheranin, partnerin më të rëndësishëm të Pekinit në rajon.
Nga ana tjetër, nuk mund të fshihet se Moska përpiqet me insistim për të shmangur sanksionet ekonomike dhe politike perëndimore që kanë ndikuar mbi shumë nga projektet strategjike ruse, përveç faktit se ato e kanë vënë Moskën para disa zgjedhjeve të vështira ekonomike, të tilla si privatizimi i disa prej institucioneve më të mëdha qeveritare ruse apo pranimin për eksportin e gazit me çmime më të ulëta, për të kapërcyer ndikimin e sanksioneve dhe për të ruajtur pjesën e Moskës në tregun ndërkombëtar. Në mënyrë të ngjashme, nuk mund të fshihet se planet ruse shtrënguese dhe ato të privatizimit ndikojnë negativisht në imazhin e qeverisë ruse para publikut rus, i cili nuk e ka harruar plotësisht se ish-presidenti rus, Boris Jelcin, ndërmori hapa të ngjashëm të cilat e fundosën ekonominë ruse. Paradoksi që nuk duhet të mungojë këtu është se Vladimir Putin e ngriti popullaritetin e tij kryesisht nëpërmjet eliminimit të efekteve të vendimeve ekonomike të Jelcinit dhe rindërtimit të një sektori të fuqishëm publik rus. Gjithashtu, nuk do të ketë dobi nga hapat e avancuara të ndërmarra nga Moska gjatë viteve të fundit, veçanërisht në Siri dhe Ukrainë, dhe më pak të theksuar në Libi, në qoftë se këto hapa nuk do të përkthehen në një pohim a pranim amerikan dhe perëndimor të interesave të Rusisë dhe rolit të saj në këto rajone. Nëse duam ta qartësojmë tablonë, mund të themi se Moska ka ndërmarrë dhjetë hapa të avancuar në këto rajone, dhe, edhe në qoftë se tërhiqet mbrapsht një hap apo dy, në këmbim të pranimit nga ana e Uashingtonit të mbetjes së pjesës tjetër të arritjeve ruse, në total Moska do të përfundonte në një pozicion shumë më të mirë se ai që kishte në fund të vitit 2013, për shembull.
Të dyja palët, secila për arsyet e veta, kanë nevojë për të reduktuar nivelin aktual të ballafaqimit të ftohtë. Kjo rrugë pajtimi nuk është shtruar me trëndafila. Ka shumë palë që konsiderojnë se përfundimi i krizës siriane kërcënon interesat e tyre dhe këto palë mund të punojnë për të bllokuar çdo marrëveshje ruso-amerikane. Në Evropën Lindore, hapat e avancuar të kryer nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara përbëjnë një pengesë reale për pajtimin Rusi-SHBA. Nuk është e qartë se si mund të arrijnë Moska dhe Uashingtoni të bashkëpunojnë, pa u tërhequr Uashingtoni dhe Brukseli (kryeqyteti i NATO-s) nga hapat e fundit armiqësorë ndaj Moskës, veçanërisht në Evropën Lindore; por a ekziston mundësia e tërheqjes mbrapsht nga këto hapa pa rrezikuar shembjen e gjithçkaje që është ndërtuar atje gjatë viteve të fundit? Ekzistojnë shumë pengesa dhe është e sigurt se Moska dhe Uashingtoni nuk do të shndërrohen në aleatë të natyrshëm, por ata kanë nevojë të arrijnë një “armëpushim” apo një “pushim luftëtari”.
* Ky opinion është publikuar në gazetën “Es-Sefir”.