Putini kundërshton dëbimin e diplomatëve amerikanë
Pas vendimit amerikan për dëbimin e 35 diplomatëve rusë nga SHBA, erdhi fillimisht reagimi rus. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se qeveria ruse do të dëbojë 35 diplomatë nga vendi.
Por presidenti Putin ka ndërruar mesa duket mendje. Shefi i Kremlinit zgjodhi të mos e pranonte këtë propozim, me argumentin se Moska nuk do të ndalojë në nivelin e diplomacisë së papërgjegjshme, por do të punojë për ripërtëritjen e marrëdhënieve amerikano-ruse gjatë Presidencës së Donald Trumpit. 35 diplomatë rusë u shpallën “persona non grata” e iu dhanë 72 orë afat për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy komplekse ndërtesash në Maryland dhe në New York, të përdorura nga personeli rus për aktivitete të shërbimeve të fshehta, do të mbyllen. Rusia nuk i pranon akuzat amerikane për sulme kibernetike në fushatën zgjedhore amerikane, që ishte edhe baza e vendimit të presidentit amerikan në largim, Barack Obama për largimin e diplomatëve rusë. Masat e marra prej Obamës janë një dekret presidencial, të cilin Trumpi mund ta anulojë pas ardhjes në pushtet më 20 janar.