Zjarri në traget vret 23 persona në Indonezi
Të paktën 23 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë janë shpallur të humbur pasi një traget mori flakë pranë brigjeve indoneziane.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se trageti Zahro Ekspres, po transportonte më shumë se 230 pasagjerë drejt ishullit Tidung, një resort rreth 50 km nga kryeqyteti Xhakarta. Trageti mori flakë rreth 1.5 km larg portit Muara Angke, në Xhakarta, pak pasi kishte nisur udhëtimin. Sipas raportimeve shumë nga pasagjerët ishin hedhur në det. Mësohet se 194 persona janë shpëtuar dhe nëntë të tjerë po trajtohen në spital. Sipas raporteve, në traget kishte indonezianë që udhëtonin për të festuar Vitin e Ri. Një zyrtar tha se trageti mbante dy herë më shumë njerëz nga numri i lejuar.