Putin uron Donald Trump në vend të presidentit Obama
Presidenti i Rusisë në mesazhet e tij me rastin e vitit të ri dërguar presidentëve të ndryshëm të botës, kësaj here në vend që t’i dërgojë presidentit Barack Obama, mesazh urimi i ka dërguar Donald Trump presidentit të zgjedhur amerikan.
Sipas një njoftimi të Press Tv, Vladimir Putin në mesazhin e tij dërguar Donald Trump shpresoi se marrëdhëniet Moskë-Uashington do të përmirësohen dhe niveli i bashkëpunimit të tyre ndërkombëtar do të shtohet pas 20 janarit, datës kur Trump do të futet në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë mesazh, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u ka dërguar mesazhe urimi edhe presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, presidentit të Kinës Shi Xhin Ping dhe ish presidentit amerikan Xhorxh w Bush. Mesazhi i presidentit Putin erdhi në kohën kur diplomatët rusë të cilët është vendosur të dëbohen nga SHBA-të në bazë të një urdhri të presidentit Barack Obama, janë larguar nga Uashingtoni sipas një njoftimi të ambasadës ruse në SHBA. Aeroplani është nisur, ka thënë zëdhënësi i ambasadës ruse në Uashington, Nikolai Lakhonin, më 1 janar. Ai ka shtuar se diplomatët që është vendosur të dëbohen më 1 janar janë në bordin e aeroplanit. Obama, gjatë javës së kaluar ka vendosur të dëbojë 35 rusë të dyshuar si spiunë si dhe ka vendosur sanksione kundër dy agjencive ruse të inteligjencës si masë ndëshkuese për dyshimet se Moska ka urdhëruar sulmet kibernetike gjatë fushatës zgjedhore presidenciale amerikane. Presidenti rus, Vladimir Putin, më 30 dhjetor ka thënë se Moska nuk do të përgjigjet me masa të njëjta. Putin ka thënë se fillimisht dëshiron të vlerësojë hapat që do të ndërmarrë presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili e fillon mandatin e tij më 20 janar dhe më pas të vendosë së çfarë masash do të ndërmarrë.