Dorëhiqet ambasadori britanik në BE
Procesi i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian po rezulton më i vështirë nga ç’pritej.
Ambasadori britanik në Bruksel, i cili pritej të luante një rol kyç në negociatat për Brexit ka dhënë dorëheqjen nga posti. Zyra e jashtme britanike nuk dha asnjë arsye për dorëheqjen e Sir Ivan Rogers, i emëruar si përfaqësues i përhershëm nga atëherë kryeministri David Cameron në vitin 2013. Vendimi vjen gati një muaj pasi mediat britanike zbuluan se ambasadori i kishte thënë privatisht qeverisë se arritja e një marrëveshje tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Brukselit mund të finalizohet pas 10 vjetësh, diçka kjo që nxiti kritikat e disa parlamentareve. Siç duket mes Rogers dhe ministrave te kabinetit te Theresa May, ka pasur një mungese sinkronizimi duke qenë se ata kanë thënë se ujdia do të arrihej brenda 2 viteve. Ish-lideri i liberal demokrateve, Nik Clegg, i cili dikur ka punuar për Rogers në Bruksel e përshkroi dorëheqjen e tij si një goditje të rëndë për planet e qeverisë për Brexit-in. Kryeministrja Theresa May ka thënë se do të nisë procesin zyrtar të shkëputjes nga BE në fund të muajit mars dhe se negociatat pritet të zgjasin 2 vjet.