38 të vdekur nga të ftohtit në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i41551-38_të_vdekur_nga_të_ftohtit_në_evropë
Vala e të ftohtit që ka prekur Evropën që prej javës së kaluar, me temperatura polare, ka shkaktuar të paktën 38 të vdekur, pjesa më e madhe në Poloni.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Janar 09, 2017 14:53 Europe/Tirane
  • 38 të vdekur nga të ftohtit në Evropë

Vala e të ftohtit që ka prekur Evropën që prej javës së kaluar, me temperatura polare, ka shkaktuar të paktën 38 të vdekur, pjesa më e madhe në Poloni.

Kjo valë e të ftohtit e ardhur nga Skandinavia ka shkaktuar aksidente të shumta rrugore, ashtu si në Francë, ku katër shtetas portugez kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur në një aksident që ndodhi dje. Të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga i ftohti dje në Poloni ku temperaturat kanë arritur deri në – 20 gradë Celsius në disa rajone”, njoftoi sot Qendra qeveritare e Sigurisë Kombëtare (RCB). Rreth 10 persona të tjerë kishin humbur jetën të premten dhe të shtunën në vend. Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të rriten lehtë në ditët e ardhshme në Poloni, por do të qendrojnë nën zero. “Në Republikën çeke, vala e të ftohtit ka shkaktuar të paktën gjashtë të vdekur që prej të premtes, pjesa më e madhe të pastrehë”, njoftuan autoritetet. Vala e të ftohtit ka filluar të ulet në Evropën perëndimore, por vazhdon të jetë ftohtë në Itali ku dy të vdekur të tjerë janë njoftuar nga shtypi. Shtatë persona, pesë prej të cilëve të pastrehë, kanë humbur jetën gjatë fundjavës në Itali. Në Ballkan, temperaturat janë ulur deri në -28 gradë Celsius këtë fundjavë në Maqedoni dhe një i pastrehë 68 vjeç është gjetur i vdekur në Shkup. Në Serbi, temperatura më e ulët u regjistrua dje në qytetin e Sjenicas, në jugperëndim me -33 gradë Celsius dhe lundrimi në Danub dhe Sava është ndërprerë. Në Bjellorusi, dy persona kanë humbur jetën nga i ftohti. Termometri, pasi ka rënë deri në -30 gradë Celsius gjatë fundjavës, ka arritur në -15 gradë Celsius sot.Në Turqi, reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë Stambollin për të tretën ditë radhazi kanë shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe bllokimin e mijëra udhëtarëve. Kompania ajrore “Turkish Airlines” ka anuluar sot 227 fluturime me nisje nga dy aeroportet e Stambollit.