Mbyten rreth 100 emigrantë në Mesdhe
Një tjetër varkë është mbytur gjatë rrugëtimit nga brigjet e Libisë drejt Italisë përmes Mesdheut.
Sipas Rojes Bregdetare italiane, e cila po zhvillon kërkimet, 8 trupa janë rikuperuar nga ujërat e detit Mesdhe, ndërsa 4 persona janë shpëtuar të gjallë, ndërsa dyshohet për 100 pasagjerë të zhdukur. Varka është mbytur mes Libisë dhe Italisë, vetëm 30 milje (50 km) larg brigjeve të shtetit afrikan, ndërkohë që errësira i vështirësoi përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e viktimave. Ende nuk është bërë e ditur kombësia e emigrantëve të përfshirë në tragjedinë më të fundit detare. Më shumë se 1.000 persona kanë mbërritur në Europë përmes detit në dy javët e para të vitit 2017, përllogarit agjencia e OKB-së për refugjatët “UNHCR”. Përpara këtij incidenti, thuhej se 11 persona kishin gjetur vdekjen në këto udhëtime të rrezikshme. Në vitin 2016, ndërkohë, UNHCR-ja njoftoi se 5.000 emigrantë kishin vdekur në përpjekjet e tyre për të mbërritur në Europë.