Theresa May ofron planin për largim nga BE
Britania e Madhe nuk do të pranojë një anëtarësim të pjesshëm pas largimit nga Bashkimi Evropian.
Kjo pritet të jete fjala kyçe e Teresa May në fjalimin e shumëpritur drejtuar britanikëve për Brexit, por sigurisht me një mesazh të qartë për Brukselin. May do tu thotë vendeve të tjera evropiane se Britania e Madhe do të bëjë të pamundurën për një marrëdhënie të mirë ekonomike me vendet evropiane, por nuk do të jetë me një këmbë brenda dhe një jashtë BE.
Në kohën kur bisedimet e Brexit pritet të nisin në muajin mars, kryeministrja britanike pritet të publikojë edhe 12 objektivat e negociatave.
Fjala e May do të monitorohet me kujdes veçanërisht sa i përket sinjaleve për përfshirjen e Britanisë në tregun e përbashkët, gjë e cila lejon lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve mes vendeve anëtare të BE, dhe bashkimit doganor që do të thotë anëtarët nuk vendosin tarifa për mallrat mes njëri tjetrit.
Por gjithashtu interes do të ketë edhe forcimi i kufijve britanikë. Udhëheqësit e BE-së kanë thënë se Britania e Madhe nuk mund të ketë të njëjtat të drejta si brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian.
Sterlina britanike e ka humbur një të pestën e vlerës së saj prej referendumit të qershorit ku 52 % e popullatës vendosi për largimin e Britanisë nga BE-ja. Komentet e May pritet të dëmtojnë sterlinën edhe më shumë.
Kryeministrja britanike ka thënë se ajo do të kërkoi Nenin 50 të traktatit të BE-së më 31 mars, diçka që nis formalisht procesin dy vjeçar të negociatave për largimit të Britanisë nga blloku evropian.