Gjermania, presion BE-së të shpejtojë marrëveshjet tregtare me vendet aziatike
Gjermania i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të premtën që të shpejtojë marrëveshjet për tregti të lirë me disa shtete, kryesisht në Azi si përgjigje ndaj skepticizmit për këtë të shprehur nga presidenti i ri amerikan, Donald Trump, raporton Reuters.
Në një dokument që i është prezantuar ministrave të financave të BE-së gjatë një takimi në Bruksel, dhe që është parë nga Reuters, fuqia më e madhe ekonomike e bllokut evropian e ka përsëritur qëndrimin e saj se Trump, krahas largimit të Britanisë nga BE-ja, paraqet rrezik për ekonominë botërore. “Blloku duhet të fuqizojë politikat e përbashkëta në sektore si mbrojtja, diplomacia dhe ekonomia”, thuhet në këtë dokument sipas Reuters. Në javën e parë në detyrë, presidenti Trump ka nënshkruar largimin e SHBA-së nga marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit me shtetet aziatike. Dokumenti gjerman përmend 12 shtete, kryesisht në Azi, të cilat janë në faza të ndryshme të negociatave me Brukselin.