Amerika kërcënon OKB-në
Ambasadorja e re e SHBA në Kombet e Bashkuara e kërcënoi këtë organizatë për ndaljen e ndihmave financiare të Uashingtonit.
Nikki Haley, deklaroi se Shtëpia e Bardhë po shqyrton një dekret ekzekutiv që krijon kushtet për anulimin e miliarda dollarëve, ndihma financiare të SHBA për OKB. Kjo nuk është hera e parë që Amerika kërcënon OKB-në për ndaljen e ndihmave financiare apo për mospagimin e kuotës së anëtarësimit, por kësaj here rrethanat kanë ndryshuar dhe paralajmërimi amerikan duket serioz. Pak kohë më parë, presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër OKB-në pas miratimit të një rezolute të KS të OKB kundër ndërtimit të kolonive hebreje në territoret e pushtuara palestineze. “OKB-ja është kthyer në një klub për njerëzit e saj, që merren me thashetheme dhe argëtohen. Çfarë trishtimi!”, ka shkruar Trump në një postim në Tëitter. Sipas qarqeve politike në Uashington, administrata e Trump synon të shkojë aq larg, saqë të kërkojë largimin e Amerikës nga OKB. Dalja e SHBA nga OKB nuk është lajm i mirë për funksionarët e kësaj organizate ndërkombëtare. Amerika plotëson 22 % të buxhetit vjetor të OKB dhe 28 % të shpenzimeve të misioneve paqeruajtëse të kësaj organizate. Shumë nga vendet e botës e sidomos disa vende të zhvilluara si Gjermania dhe Japonia dhe disa fuqi të reja ekonomike si Brazili, India dhe Afrika e Jugut, kërkojnë reformimin e strukturës së OKB. Amerika i kundërshton këto kërkesa dhe është tepër e pakënaqur nga rritja e ndikimit të disa shteteve që kanë të drejtën e vetos në KS të OKB. Uashingtoni dëshiron një OKB që vepron vetëm sipas interesave amerikane dhe brenda kuadrit të politikave të Shtëpisë së Bardhë. Votimi i rezolutës 2334 në KS të OKB ku dënohet ndërtimi i kolonive hebreje në territoret palestineze irritoi pa masë përkrahësit e Izraelit në Kongresin amerikan si dhe zemëroi shumë presidentin aktual Donald Trump. Por tashmë duket se ka perënduar koha e sundimit të SHBA në botë dhe shumë vende të botës dëshirojnë të kenë ndikim në procesin e marrjes së vendimeve të rëndësishme në OKB dhe në KS të kësaj organizate.