Evropa do të vazhdojë pranimin e emigrantëve
Shefja e diplomacisë evropiane ka thënë se Evropa do të vazhdojë pranimin e emigrantëve të vendeve të tjera.
Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane ka thënë se BE do të vazhdojë mbështetjen dhe pranimin e emigrantëve. Kjo deklaratë e Mogherinit ka ardhur pak pas vendimit të Donald Trump për ndalimin e futjes së shtetasve të huaj në Amerikë. Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel duke kritikuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një konferencë për mediat dënoi vendimin ekzekutiv që është firmosur nga drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë dhe tha se Terrorizmi nuk luftohet duke i mbyllur dyert emigrantëve. Merkel theksoi se ky akt sipas saj nuk është në të njëjtën linjë me principet bazike të parimit për ndihmën që duhet të japë faktori ndërkombëtar për refugjatët. Përplasja mes dy liderëve për këtë çështje ka qenë në një farë mënyrë e pritshme, për shkak të deklaratave të bëra më herët prej tyre. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka kundërshtuar hapur politikën e Donald Trump për të bllokuar për një periudhë 90-ditore hyrjen në Shtetet e Bashkuara për personat që vijnë nga shtatë vende me shumicë popullsie myslimane, duke u shprehur se terrorizmi nuk luftohet duke paragjykuar emigrantët. Gjatë një konference të përbashkët me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Merkel u shpreh se vendimi i fundit i marrë nga administrata amerikane nuk është në të njëjtën linjë me principet bazike të ndihmës ndaj refugjatëve si dhe të bashkëpunimit të faktorit ndërkombëtar në menaxhimin e krizës së azil-kërkuesve.