Kina paralajmërim serioz për Amerikën
Kina ka paralajmëruar SHBA kundër destabilizimit të Azisë Lindore, pasi sekretari i mbrojtjes, James Mattis tha se Uashingtoni është i gatshëm për të mbrojtur Japoninë në rast të një konflikti me Pekinin.
Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Kinës Lu Kang i bëri këto komente pas deklaratës së Mattis të shtunën, i cili gjatë vizitës së tij në Japoni, ka thënë se ishujt Senkaku zotërohen nga traktati i sigurisë SHBA-Japoni. Sipas këtij traktati, Uashingtoni është i detyruar të mbrojë të gjitha zonat nën kontrollin administrativ të Japonisë, ku në këtë rast ishujt Senkaku që Kina i quan Diaoyu, bëhen mollë sherri për konflikt midis dy superfuqive botërore. "Ishujt Diaoyu kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e territorit kinez që nga kohërat e lashta dhe ky është një fakt i pandryshueshëm historik", ka thënë Lu i cili citohet nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua. "Ne kërkojmë nga SHBA të ketë një qëndrim të përgjegjshëm dhe të mos deklarohet në mënyrë të gabuar si dhe të përpiqet të shmang çdo keqkuptim dhe komplikim që mund të sjellë paqëndrueshmëri në rajon", tha ministri i jashtëm i Kinës. Gjatë vizitës në Japoni, Mattis ka thënë: "Unë e bëra të qartë që politikat e tona afatgjate ndaj ishujve Senkaku janë të qëndrueshme dhe SHBA do të vazhdojë të njohë Japoninë si administruese e këtyre ishujve". Lu këmbënguli se traktati SHBA-Japoni ishte një produkt i Luftës së Ftohtë dhe nuk duhet të ndikojë në sovranitetin territorial të Kinës. Përveç tensionit të ri mbi ishujt e Detit të Kinës Jugore, Kina ka kritikuar edhe një pakt të kohëve të fundit për vendosjen e një sistemi të raketave amerikane të njohur si 'THAAD' në Korenë e Jugut.