Tsipras: FMN vendime absurde, ushtar i bindur i Ministrit gjerman
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë kreditorëve të vendit të tij, teksa është shprehur se Athina do të japë një rishikim pozitiv të marrëveshjes së shpëtimit, por ka theksuar se qeveria e drejtuar prej tij nuk do të pranojë kërkesa të palogjikshme.
Kryeministri grek pati gjithashtu një sulm ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke u shprehur se ky institucion vepron si një frikacak përballë aktorëve të mëdhenj të ekonomisë botërore, duke shtuar se FMN i bindet gjithmonë Ministrit gjerman të Financave, Volgang Shojble. Në fjalimin e mbajtur së fundmi, kreu i ekzekutivit helen ka kërkuar ndër të tjera më shumë kujdes nga palët për Greqinë, pasi sipas tij flitet për një vend dhe për shumë qytetarë që kanë sakrifikuar vazhdimisht për Europën.‘Ata që pretendojnë se rishikimi i marrëveshjes së shpëtimit do të dështojë do të mbeten të zhgënjyer. Ajo marrëveshje do të plotësohet. Ne do e pranojmë marrëveshjen, por nuk do të pranojmë masa të palogjikshme. Sa i përket FMN-së, më duhet të them se ky institucion nuk flet të vërtetën me partnerët dhe nuk i shikon këta të fundit në sy. Është koha t’a themi hapur, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar asnjëherë nuk mban një qëndrim të kundërt me Ministrin gjerman të Financave, gjë që sjell marrjen e vendimeve absurde, imagjinare dhe të parëndësishme, të cilat e rëndojnë edhe më tepër gjendjen e Greqisë duke mos prodhuar zgjidhje.’ Në mbyllje, Tsipras kërkoi më shumë durim për të kaluar momentin e vështirë që po kalon Greqia. Ai tha se rruga e daljes nga kriza do të jetë e mundimshme, por shprehu bindjen se populli grek do arrijë t’a kalojë edhe këtë pengesë.