Komisioni Europian përkrah qëndrimin e Greqisë në zonën Euro
Komisioneri për çështjet ekonomike të BE shprehu përkrahjen për qëndrimin e Greqisë në Eurozonë.
Pierre Moskovici kërkoi nga huadhënësit ndërkombëtarë që të bien dakord në lidhje me reformat që po ndërmerr qeveria greke dhe të mos e shtojnë presionin ndaj Athinës. Kjo deklaratë vjen pasi Greqia duket e vendosur për ti bërë dalje Euros në favor të dollarit amerikan, çka do të ishte një lëvizje shkatërruese e cila do të trulloste Gjermaninë dhe do të poshtëronte BE-në. Ted Malloch, kandidati i administratës së Donald Trump për ambasador në BE, u shpreh se zyrtarët e lartë grekë janë duke parë opsionet brenda BE-së për ta bërë këtë lëvizje, pasi spiralja e krizës ekonomike, në të cilën është përfshirë Greqia, ka bërë që liderët europianë të kërcënojnë me përjashtim të vendit nga Unioni. Ky lajm sigurisht që frikëson Gjermaninë, e cila për momentin as që nuk do të dëgjojë të flitet për të tilla histori, por kandidati për ambasador i SHBA-ve në BE, këmbëngul se pret që Euro të bjerë brenda vitit 2018. Këto deklarata vijnë vetëm 4 ditë pasi një nga zyrtarët më të lartë financiarë të BE-së, u shpreh se Greqia do të jetë e detyruar të dalë nga Eurozona, nëse nuk arrin të orientojë financat e saj të sëmura.