Rusia paralajmërohet për mosndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në Francë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i45154-rusia_paralajmërohet_për_mosndërhyrje_në_zgjedhjet_presidenciale_në_francë
Franca tha se nuk do të pranojë ndërhyrjet e Rusisë ose të ndonjë vendi tjetër në zgjedhjet e saj presidenciale dhe se mund t’iu përgjigjet ndërhyrjeve të tilla me “masa hakmarrëse”.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shkurt 17, 2017 03:25 Europe/Tirane
  • Rusia paralajmërohet për mosndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në Francë

Franca tha se nuk do të pranojë ndërhyrjet e Rusisë ose të ndonjë vendi tjetër në zgjedhjet e saj presidenciale dhe se mund t’iu përgjigjet ndërhyrjeve të tilla me “masa hakmarrëse”.

Komentet e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, vijnë disa javë pasi zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë dalë me përfundimin se hakerë të mbështetur nga Kremlini, kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit. “Ne nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje në procesin tonë zgjedhor, as nga Rusia, as nga ndonjë shtet tjetër”, tha Ayrault. Kandidati pro-evropian për president të Francës, Emmanuel Macron, akuzoi, pak ditë më parë, Moskën për sulme kibernetike në ueb-faqen dhe emailet e fushatës së tij. Kremlini i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si absurde. Rusia po ashtu ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, për t’i ndihmuar Trumpit që të mposhtë kandidaten demokrate, Hillary Clinton. Në kohën kur partitë e mëdha në Francë luftojnë me skandale dhe ndarje të brendshme, Marine Le Pen nga partia e ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” shihet si favorite në zgjedhje. Sondazhet e nxjerrin atë dhe Macronin në balotazh. Le Pen është kritike e Bashkimit Evropian dhe mbështet politikën ruse në Ukrainë. Meqë statusi i Macronit po rritet gjithnjë në sondazhe, mediat shtetërore ruse dhe ueb-faqet pro Kremlinit e kanë vënë atë në shënjestër të sulmeve. Në janar, ministri i Mbrojtjes i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar se sulmet kibernetike në vendin e tij janë rritur në mënyrë dramatike gjatë tre vjetëve të kaluar dhe se zgjedhjet presidenciale të prillit mund të bëhen cak. Rusia është fajësuar edhe për një sulm kibernetik në Parlamentin e Gjermanisë në vitin 2015. Politikanë gjermanë kanë paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare të këtij vendi, që mbahen këtë vit, janë në rrezik nga “manipulime të jashtme” të hakerëve dhe të tjerëve që veprojnë për shtetin rus. Paralajmërimet në Francë dhe në Gjermani vijnë pasi një raport i inteligjencës amerikane, i lëshuar më 6 janar, ka konstatuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ka urdhëruar” fushatë të sulmeve kibernetike dhe manipulimeve mediatike, me qëllim për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA. Stafi i ngushtë elektoral i Donald Trump por edhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me shërbimet inteligjente ruse gjatë para dhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2016. Të dhënat telefonike dhe përgjimet që vërtetojnë këtë, konfirmohen edhe nga katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë.  Agjencitë amerikane të Inteligjencës ndërhynë që të përgjojnë edhe regjistrojnë këto telefonata sepse u ngritën dyshime mbi tentativat e Inteligjencës ruse për të ndikuar apo manipuluar zgjedhjet në SHBA.  Madje vetë Trump i fryu më shumë zjarrit, kur deklaroi verën e kaluar se shpresonte që shërbimet inteligjente ruse të marrin dhe publikojnë përmbajtjen e e mail-eve të rivales së tij, Hillary Clinton.  Gjithsesi, të njëjtat burime konfirmojnë se për asnjë moment nuk është vërtetuar që midis stafit të Trump dhe agjencive ruse të inteligjencës të ketë pasur bashkëpunim për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Këto zëra vijnë menjëherë pas dorëheqjes së Michael Flynn, këshilltarit të Trump për sigurinë kombëtare.