Gjermani, përshpejtohet deportimi i azilkërkuesve të pasuksesshëm
https://parstoday.ir/sq/news/world-i45556-gjermani_përshpejtohet_deportimi_i_azilkërkuesve_të_pasuksesshëm
Ekzekutivi i Gjermanisë ka miratuar këtë të mërkurë një plan, përmes të cilit do të bëhet më e lehtë deportimi i azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 22, 2017 16:21 Europe/Tirane
  • Gjermani, përshpejtohet deportimi i azilkërkuesve të pasuksesshëm

Ekzekutivi i Gjermanisë ka miratuar këtë të mërkurë një plan, përmes të cilit do të bëhet më e lehtë deportimi i azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere tha se masat e fundit nënkuptojnë se deportimi i azilkërkuesve me kërkesa të pamiratuara do të përshpejtohet, e në këtë mënyrë më shumë njerëz do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës. Gjermania u “përmbyt” nga mbi 890 mijë azilkërkues në vitin 2015, ndërsa prej atëherë ka punuar mbi mënyrën sesi do të përballonte këtë fluks, duke përshpejtuar si dhënien e azilit ndaj atyre që e meritojnë vërtet atë, ashtu edhe kthimin mbrapsht të atyre që nuk ia dalin të sigurojnë azil. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila garon në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, ka bërë thirrje vazhdimisht për një “përpjekje kombëtare” për të siguruar që njerëzit pa të drejtë qëndrimi të largohen nga vendi. Masat e reja përfshijnë edhe përmirësimin e rregullave që e bëjnë më të lehtë marrjen në pyetje të personave që besohet se janë të rrezikshëm, përpara se t’i deportojnë ato, si dhe dhënien e lirisë së veprimit ndaj autoriteteve për mbikëqyrjen e tyre, tha De Maiziere. Gjithashtu u lejohet autoriteteve të shqyrtojnë dhe vlerësojnë të dhënat në telefonat celularë apo kompjutera, kur identiteti i një azilkërkuesi është i dyshimtë.